BE-ja ia përsërit Serbisë se anëtarësimi në BE bëhet vetëm përmes Kosovës

Lajme

BE-ja ia përsërit Serbisë se anëtarësimi në BE bëhet vetëm përmes Kosovës

Më: 19 maj 2018 Në ora: 23:47
Sem Fabrizi

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, ka deklaruar se Kosova është elementi kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën dhe përparimi në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dy shtytësit kryesorë për hyrjen e Serbisë në BE. Sigurisht, Kosova është elementi kyç”, ka thënë Fabrizi në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, që do të botohet të dielën.

Ai ka thënë se BE-ja e ka bërë të qartë se sa e rëndësishme është kjo dhe se pikërisht për këtë është duke ofruar “shërbime të mira” në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

I pyetur nëse Serbia do të duhet t’i thotë “po” pavarësisë së Kosovës, ai ka thënë se BE-ja ka qasje neutrale ndaj statusit dhe se nevojitet normalizim i plotë i raporteve mes dy vendeve, në formën e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese.

“Përmes dialogut, BE-ja sjell shërbime të mira që të arrihet deri tek ky qëllim”, shtoi ai.

Fabrizi ka shtuar se formati i dialogut nuk do të ndryshojë dhe se edhe më tutje do të jetë e përfshirë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat