Edhe serbët e Kosovës kthehen kundër Gjuriqit

Lajme

Edhe serbët e Kosovës kthehen kundër Gjuriqit

Më: 16 maj 2018 Në ora: 17:18
Marko Gjuriq, 27 mars, 2018

Pas kundërpërgjigjes që Gjuriqi ia dha Thaçit në lidhje me çështjen e pajisjes me pasaportë të Kosovës, tani ndaj qeverisë së Serbisë kanë reaguar serbët e Kosovës.

Kjo erdhi pas deklaratës që shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte thënë se ai nuk ka nevojë për “dokumente të rreme të udhëtimit”, meqë ashtu si edhe gjithë qytetarët serbë,  ai ka pasaportë të Serbisë me të cilën mund të udhëtojnë në mbi 119 shtete të botës.

“Nëse serbët në Kosovë nuk i konsideron qytetarë të Serbisë, atëherë të gjithë qytetarët e Serbisë kanë pasaportë që nuk i nevojitet viza“.

“E lehtë është për ju Gjuriq, por çfarë të bëjmë ne serbët me adresë në Kosovë që nuk kemi pasaportë të Serbisë me liri të plotë të lëvizjes? Na keni gjuajtur një pasaportë të Drejtorisë së Koordinimit që nuk ka vlerë, me atë të së cilës vetëm mund të ‘fotografohemi“.

“Ne që jetojmë në Kosovë kemi pasaporte me kufizime të lirisë së plotë të lëvizjes, ndërsa për tjetrën vetëm mund të ëndërrojmë“.

“Serbët në Kosovë nuk kanë pasaportë me liri të plotë të lëvizjes dhe janë të trajtuar si qytetarë të klasit të dytë.. . ne jemi diku në mes, as në tokë as në qiell“, janë disa prej reagimeve të serbëve të Kosovës ndaj Gjuriqit dhe qeverisë serbe.

Sipas OJQ-së “Aktiv” – “Zona e pasaportave speciale” në Kosovë ka lëshuar 76.807 pasaporta  të Republikës së Serbisë, të cilat nuk njihen nga autoritetet e Kosovës dhe janë subjekt i regjimit të vizave për të udhëtuar në vendet e BE-së dhe Zonën Shengen.

Megjithatë, nga zyra serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë kanë deklaruar se fillimisht kjo është vepër e njerëzve që nxisin separatizmin dhe që përpiqen ta mohojnë ndikimin e shtetit serb në Kosovë. Ata po ashtu për çështjen e udhëtimeve e kanë gjuajtur fajin tek një pjesë e shteteve të tjera:

“Edhe pse qytetarët serbë që kanë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit të Kosovës mund të lëvizin pa viza dhe të udhëtojnë në më shumë se njëqind shtete në botë, disa vende i diskriminojnë bartësit e këtyre dokumenteve, duke i trajtuar ndryshe nga qytetaret tjerë të Serbisë”

“Institucionet kompetente të Republikës së Serbisë në vazhdimësi po tregojnë papranueshmërinë e kësaj forme të diskriminimit, ku një numër i madh i qytetarëve nga territori i Kosovës është dëmtuar nga një sjellje e tillë“, thuhet në deklaratën e qeverisë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat