Daçiq: Vështirë se deri në fund të vitit mund të arrijmë marrëveshje

Lajme

Daçiq: Vështirë se deri në fund të vitit mund të arrijmë marrëveshje

Më: 11 maj 2018 Në ora: 13:18
Ivica Daçiq

Do të ishte një sukses tejet i madh nëse Serbia dhe Kosova arrijnë kompromis, sepse Kosova është “afër arritjes së realizimit të pavarësisë së saj”.

Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke theksuar përsëri se shteti serb asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës- por dëshiron kompromis.

Sipas tij, Serbia është duke mbijetuar falë miqve të saj të vjetër, kurse komuniteti ndërkombëtar e sheh Kosovën si një çështje që mund të zgjidhet dhe “nuk dëshiron që të flasë për të”.

“Edhe nëse dikush thotë se nuk do të ketë anëtarësim në BE-në për ne, Serbia nuk mund ta pranojë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Po pyes a pajtohen të gjithë me këtë që e thashë. Nëse pajtohen, atëherë le ta shkojmë në këtë rrugë, në vend që nesër ata të thonë “Vuçiq dhe Daçiq udhëhoqën një politikë të konfrontimit ndaj BE-së, ka thënë Daçiq të premten për TV Pink.

Daçiq e sheh si vështirë të mundur arritjen e një marrëveshje juridikisht të obligueshme në mes të dy palëve, deri në fund të këtij viti. Këtë mendim, Daçiq e ka mbrojtur duke thënë se qëndrimet e të dy vendeve janë shumë larg njëra-tjetrës.

Ai ka shtuar se Serbia duhet të jetë e gatshme lidhur me atë se çka mund të ndodhë.

“Çka do të ndodh nëse Kosova veriore sulmohet, a jemi të gatshëm që të reagojmë dhe të marrim pjesë? NATO ka thënë që nëse dikush hyn në Kosovë, ata do ta konsiderojnë këtë si sulm ndaj NATO-s”, u shpreh shefi i diplomacisë serbe.

Sipas tij, e vetmja mundësi e Serbisë mbetet administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës- Serbia duhet t’u shpjegojë atyre se nuk mund të ketë stabilitet në regjion pa zgjidhje për Kosovën, sipas tij, zgjidhje të atillë që do t’i plotësonte interesat e të dy palëve, asaj shqiptare dhe asaj serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat