A janë serbët ende ministra në Qeverinë Haradinaj

Lajme

A janë serbët ende ministra në Qeverinë Haradinaj

Më: 27 prill 2018 Në ora: 14:15
Ministrat serb

Pas arrestimit të Marko Gjuriqit nga Polica e Kosovës në Mitrovicë , Lista Serbe pati kumtuar se e braktis Qeverinë e Kosovës.

Megjithatë, ministrat edhe më tej janë pjesë e kabinetit të Ramush Haradinajt, presin ambasadorë të huaj, shkojnë nëpër takim të jashtme dhe kryejnë punën e ministrit, por, siç kanë thënë ata, vetëm “në mandatin teknik”, shkruan sot gazeta e Beogradit.

Sipas kësaj gazete, ditëve të fundit po spekulohet se serbët megjithatë mbesin në Qeverinë e Kosovës ndërsa zëdhënësja Donjeta Gashi ka thënë se"tash për tash nuk ka asgjë zyrtare për largimin tyre përfundimtar nga Qeveria".

Kjo gazetë shtron pyetjen nëse përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët në fund marsit kumtuan se e braktisin kabinetin e Ramush Haradinajt, janë edhe më teje anëtarë të Qeverisë së Kosovës apo jo?

“Ne jemi ministra në mandatin teknik. Nuk shkojmë në Qeveri, përgjigjet Ivan Todosijeviq, ministër për Vetadministrim lokal.

Megjithatë, në sajtin e Ministrisë së tij mund të shihen fotografitë nga një takim në Tiranë më 21 prill në të cilin Todosijeviq ka qenë si ministër, shkruan gazeta.

“Po kam qenë atje, por vetëm me mandat teknik ”, ka thënë ai " duke mos pasur kohë të përgjigjej se deri kur do ta vazhdojë mandatin teknik , pasi po shkonte në një takim tjetër.

Ngjashëm është edhe me Dalibor Jevtiqin, ministër për Komunitete e Kthim.Eedhe në sajtin e Ministrisë së tij mund të lexohen raportet për takimet e tij me zyrtarë të jashtëm dhe me ambasadorë.

Kështu, për shembull, Jevtiq më 16 prill, është takuar me Metthew Palmer, zëvendëssekretar amerikan i shtetit, ndërsa më 13 prill me ambasadorin italian në Kosovë Piero Christophor Sardi.

Në kabinetin e tij thonë se Jevtiq është ende ministër, por me mandatin teknik. Në pyetjen se çfarë do të thotë kjo dhe edhe sa do të jetë në këtë statut, është thënë “derisa të shpallen zgjedhjet dhe deri kur varet nga ai ".

Edhe Nenad Rikalo thotë se e kryen punën e ministrit në mandatin teknik.

Çfarë do të thotë kjo?

“Nuk marrim pjesë në mbledhjet e Qeverisë, nuk marrim vendime politike, thotë ai.

Ai si ministër kohë më parë është takuar me ambasadorin amerikan Greg Delawie. Me Delawien dhe me Laslo Markuzin ka vizituar bujq në Junik.

Në pyetjen pse edhe më tej e kryen detyrën e ministrit, pasi përfaqësuesit serbë u tërhoqën nga Qeveria, ai u përgjigj se nuk mund t’i lërë të pakryera punë që i ka filluar.

“Sa do të zgjasë nuk e di. Sigurisht derisa në mbledhjen e Qeverisë të mos miratohen dorëheqjet”, thotë Rikalo.

Këto ditë u njoftua se Inspektorati Policor i Kosovës ke filluar hetimet kundër atyre që morën pjesë në arrestimin e Marko Gjuriqit. Hetimet filluan me kërkesë të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Milan Radojeviq. Ai nuk ishte i qasshëm për pyetjen se deri kur do të jetë aktiv në Qeveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat