Institucionet të përkushtuara për mbrojtjen e të drejtave të autorit

Lajme

Institucionet të përkushtuara për mbrojtjen e të drejtave të autorit

Më: 26 prill 2018 Në ora: 11:31
Foto nga konferenca

Në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës dhe Dogana e Kosovës kanë deklaruar se janë të përkushtuara në mbrojtje të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në shënimin e kësaj dite, që për moto kishte “Forca e ndryshimit: Gratë në Inovacion dhe Krijimtari”, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka deklaruar se do të vazhdojw të punojw në forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale.

Po ashtu, ministri tha se forcimi i këtij sistemi është prioritet për MTI-në dhe do të vazhdojë si i tillë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga marrëveshja e MSA-së me Bashkimin Evropian.

Hasani: MTI e përkushtuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale

“Rëndësia e mbrojtjes së pronës intelektuale të ndërmarrjes nuk qëndron thjeshtë tek roli që ajo mund të luaj në pakësimin ose rikthimin e humbjeve ekonomike që vijnë nga shkeljet e pronës intelektuale të saj. Por, para së gjithash tek ruajtja nga shkatërrimi i tregut të ndërmarrjeve, prishja e imazhit dhe besueshmërisë së klientit në emrin dhe produktet apo shërbimet e ndërmarrjes. MTI përmes agjencionit për pronës industriale është në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha institucionet të ndërlidhura me zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Posaçërisht pronësisë intelektuale të realizuar edhe përmes Këshillit shtetëror për pronësi intelektuale, siç është task forca kundër piraterisë, forcimi i institucioneve gjegjëse, informimit të qytetarëve për rëndësinë e zbatimit të këtyre të drejtave në mënyrë që qytetarët dhe komuniteti i biznesit të jenë më të vetëdijshëm për rëndësi në e mbrojtjes”, tha Hasani.

Kreu i MTI-së tha se janë të fokusuar në ngritjen e sistemit të pronës intelektuale, miratimin e të gjithë infrastrukturës ligjore të nevojshme dhe në ngritjen e fuqizimit të infrastrukturës institucionale, duke rritur kapacitetet e tyre fizike dhe buxhetore. E që sipas tij, qëllim ka ndalimin dhe luftimin e dukurive negative të përdorimit të paautorizuar të markave tregtare, prodhimi, eksporti dhe shitja e patentave pa licencë.

Ministri Hasani bëri të ditur se numri i përgjithshëm i regjistrimit të markave tregtare është mbi 26 mijë. Gjithashtu, ai potencoj se përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajojnë zhvillimet e reja teknologjike, të nxisin inovacionin dhe të mbrojnë reputacionin e brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare.

Në anën tjetër, për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashin, pronësia intelektuale ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin dhe avancimin e kulturës, shkencës dhe teknologjisë dhe se duhet të shihet pronësia intelektuale si katalizator i zhvillimit kulturor, shkencor dhe ekonomik.

Ministri Gashi u shpreh se si Ministri do të inkurajojnw dhe do t’iu japin nxitje krijuesve, performuesve, investitorëve për punën dhe investimin e tyre, përderisa tha se viti 2018 do të jetë viti i të drejtës së autorit.

Gashi: Viti 2018 do të jetë viti i të drejtës së autorit

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj me aprovimin e legjislacionit modern për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Kjo vlerësohet edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2018, por mbetet për të punuar më shumë në zbatimin e këtyre të drejtave në praktikë. Viti 2018 do të jetë viti i të drejtës së autorit, në Kosovë pas pesë viteve negociatave është arritur marrëveshja për tarifat e përgjithshme në mes të shoqatave për menaxhimin kolektiv në fushën e muzikës APIK dhe të përfaqësuesve të televizioneve dhe radiove. Së shpejti do të miratohet strategjia e re kundër piraterisë dhe rregullorja për kompensim të veçantë duke siguruar kështu vazhdimin e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare në respektimin e të drejtave të autorit”, tha ai.

Kreu i Kulturës tha se vetëm duke zbatuar ligjin për të drejtat e autorit mund të ketë zhvillim të krijimtarisë artistike, shkencore dhe kulturore në përgjithësi, ndërsa potencoj se zbatimi i ligjit sjell kompensim të drejt dhe të merituar për krijuesit, autorët, shkrimtaret.

Një rol të rëndësishëm në luftimin e piraterisë e luan edhe Dogana e Kosovës, ku kreu i Doganës, Bahri Berisha ka thënë gjatë këtyre viteve prej kur është në fuqi ligji për mbrojtje të pronësisë intelektuale Dogana ka treguar rezultate të mira për fazën fillestare.

Berisha: Mbrojtja ndikon në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja

“Zbatimi efikas i të drejtave të pronësisë intelektuale është një element shumë i rëndësishëm edhe për progresin social dhe ekonomik dhe garantimin e një konkurrence të drejtë me tregun e vendit tonë. Gjithashtu, zbatimi i të drejtës së pronësisë intelektuale kontribuon edhe në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja që ne si vend, si Kosovë kemi jashtëzakonisht nevojë shumë dhe është një gurë themel për proceset të cilat jemi me rastin e integrimit tani në Bashkimin Evropian. Pra, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të pronësisë intelektuale janë të lidhura ngushtë edhe me tregun e lirë duke mbrojtur akterët ekonomik që janë bartës të një të drejte nga konkurrenca e pandershme”, tha Berisha.

Konferenca për shënimin e Ditës Botërore për Pronësi Intelektuale është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht nga Agjencia e Pronësisë Industriale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat