Policia dyshon se aktori Art Kurti bëri vetëvrasje, Kryeprokurori tregon detajet

Lajme

Policia dyshon se aktori Art Kurti bëri vetëvrasje, Kryeprokurori tregon detajet

Më: 24 prill 2018 Në ora: 13:10
Art Kurti

(E plotësuar) -  Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e vdekjes së aktorit të serialit “O sa mirë” dhe zyrtarit komunal të komunës së Gjakovës, Art Kurti. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj ka thënë se dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje.

Kryeprokurori tha se prokuroria po pret ekzaminimin e trupit të viktimës dhe armës që është gjetur në veturë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra. “I kemi dërguar në Instituin e Mjekësisë Ligjore trupin tij bashkë me armën, telefoni, predha që është gjetur për ekzaminim.

Ende nuk i dimë shkaqet e vdekjes, sipas hetimeve paraprake dyshohet që ka bërë vetëvrasje. Janë marr disa veprime hetimore dhe gjatë kësaj kohe janë duke u ndërmarr. Mirëpo ende është herët të flasim për këtë”, tha kryeprokurori Selimaj. Kryeprokurori thotë se arma e cila është gjetur në veturën e aktorit nuk është e regjistruar. “Arma është pa leje. Arma është gjetur vetëm në automjet, të qafa e Zabelit një fshat në brezin kufitar me Shqipërinë.

“Ai ka qenë i goditur në kokë, plumbi e ka shpuar kokën, duke dalë në anën tjetër dhe është gjetur jashtë veturës. Edhe ku plumb shkon në ekzaminim bashkë me gëzhojën dhe armën .Tash do e shohim nëse plumbi që e ka goditur ka qenë i armës që është gjetur në veturë, apo i ndonjë arme tjetër”, tregoi Selimaj.

Ndryshe, trupi I pajetë i aktorit Art Kurti është gjetur rreth orës 7:50 të mëngjesit të sotëm. Policia ka treguar se trupi i viktimës është gjetur në rrugën Gjakovë-Goden në vendin e quajtur Qafa e Zabelit në një veturë.

Policia dyshon se aktori Art Kurti bëri vetëvrasje

Art Kurti, aktori gjakovar që së fundi u angazhua si këshilltar në kabinetin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, dyshohet se u vetëvra. 

Policia e Kosovës ka konfirmuar se po heton rrethanat për vetëvrasje, në rastin e aktorit nga Gjakova, i cili u gjet i vdekur me një plumb në kokë në një veturë në fshatin Goden, në periferi të qytetit. 

“Dyshimet e para çojnë në dyshime për vetëvrasje. Në veturë është gjetur vetëm një armë dhe viktima ka pasur një fishek të shkrepur në kokë”, ka thënë Kristë Gjoka, komandat i policisë në Gjakovë. 

***

Aktori Art Kurti, u gjet sot në mëngjes i vdekur në veturë. Por Tribuna Channel mëson se vetura në të cilën ndodhej i ndjeri nuk ishte e tij dhe se afër është gjetur një revole.

***

Një person është gjetur pa shenja jetë në një veturë në rrugën Gjakovë-Goden.“Me datë 24.04.2018 në ora 07:50 stacioni policor Gjakovë është njoftuar se në rrugën Gjakovë-Goden në vendin e quajtur Qafa e Zabelit gjendet një veturë me një person që dyshohej të jetë i vdekur”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat