Salihu: Fondi evropian për Ballkanin është një mundësi e mirë

Lajme

Salihu: Fondi evropian për Ballkanin është një mundësi e mirë

Më: 18 prill 2018 Në ora: 10:45
Fisnik Salihu

“Deklarata mbi Partneritetin Evropian me Ballkanin”, dokument vizionar i hartuar nga figura me ndikim nga rajoni dhe Evropa, u prezantua si pjesë e shënimit të 10 vjetorit të punës së Fondit Evropian për Ballkanin (FEB).

Deklarata flet për nevojën për angazhim më intensiv të Bashkimit Evropian në rajon dhe përfundimin e transformimit demokratik dhe socio-ekonomik të Ballkanit. Në tubim morën pjesë mbi 200 përfaqësues nga rajoni, Evropa dhe bota, personalitete me ndikim, filozofë, përfaqësues të biznesit.

Ndër pjesëmarrësit ishte edhe avokati nga Kosova, Fisnik Salihu, i cili në një intervistë  tregon përfitimet e tij nga ky fond.

Salihu: Qëllimi i programit është që të mbledh një numër të të rinjve nga rajoni

“Leadership Development Program, Programi për zhvillimin e lidershipit është një program që është organizuar nga Transuse International dhe College of Europe nga viti 2006. Unë si pjesëmarrës i këtij programi në vitin 2007/2008, kam qenë pjesëmarrës së bashku me disa pjesëmarrës të tjerë nga Kosova. Qëllimi i programit është që të mbledh një numër të të rinjve nga rajoni dhe vendet e tjera, në kuadër të këtij programi, i cili zhvillohet në Berlin edhe në Bruksel”, tha Salihu.

Ai tregoi tutje se të rinjtë me këtë rast mund të rrisin bashkëpunimin mes vete dhe të zhvillojnë aftësitë e lidershipit.

Salihu: Fondi evropian për Ballkanin është një mundësi e mirë

“Fondi Evropian për Ballkanin është një mundësi e mirë, e cila ju ofrohet organizatave dhe individëve në rajonin e Ballkanit, është një mundësi e mirë që të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë, pasi që i njëjti ofron mundësi shumë të mira për iniciativa të ndryshme nga shoqëria civile dhe nga individë nga rajoni, që idetë e tyre t’i zhvillojnë dhe t’i materializojnë, me qëllimin e vetëm që këto iniciativa të ndihmojnë në integrimin e vendeve të Ballkanit në kuadër të BE-së, por edhe në zhvillimin e aftësive personale të këtyre pjesëmarrësve të cilët përfitojnë nga iniciativa dhe programet që financohen dhe mbështeten nga fondi evropian për Ballkanin”, tha Salihu, në intervistën dhënë për KosovaPress, në ambientin ku po zhvillohet organizimi dy ditor në Beograd për nder të dhjetë vjetorit të këtij fondi.

Salihu ndër tjerash ka treguar se përvojat dhe njohuritë e marra mundohet që t’i zbatojë në vendin e tij të punës.

Fondi Evropian për Ballkanin është iniciativë e fondacioneve evropiane që udhëheqin dhe mbështesin programet, projektet dhe organizatat që synojnë forcimin e demokracisë, nxitjen e integrimeve evropiane, si dhe afirmimin e rolit të Ballkanit Perëndimor në adresimin e sfidave që paraqiten në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat