Preshevë: Mbledhje komemorative për profesor Zeqirja Fazliu

Lajme

Preshevë: Mbledhje komemorative për profesor Zeqirja Fazliu

Nga: Sevdail Hyseni Më: 17 prill 2018 Në ora: 09:14
Zeqirja Fazliu

Me rastin e ndarjes nga jeta të profesor Zeqirja Fazliu, të hënën e 16 prillit,  në Amfiteatrin e Radiotelevizionit “Presheva”, u mbajt mbledhje komemorative, në të cilën morën pjesë strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike Shqiptare, përfaqësues të subjekteve tjera politike, drejtues të institucioneve komunale, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe familjarë e miq të tjerë nga Presheva me rrethinë.

Në këtë mbledhje komemorative, kujtime nga veprimtaria e profesor Zeqirja Fazliut, shpalosi edhe bashkëveprimtari z. Xhevat Fazliu, njëherit anëtar i Këshillit qendror të PDSH-së, ku ndër të tjera theksoi se profesor Zeqirja Fazliun e karakterizonte vendosmëria, urtësia dhe ishte një demokrat i vërtetë, i cili do të mbahet mend si personalitet i dashur dhe shumë i respektuar.

Për një fjalim rasti para të pranishmëve u paraqit edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik z. Riza Halimi, ish deputet popullor dhe kryetar komune në Preshevë,  i cili revokoi kujtimet për periudhën e angazhimit të profesor Zeqirja Fazliut, në Gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, pastaj angazhimin e tij në politikë, kontributin e dhënë në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, pastaj pjesëmarrjen në ekipin politik në periudhën e luftës së UÇPMB-së dhe shumë ngjarje e zhvillime tjera, nga të cilat, ai, do të mbahet mend si intelektual i çmuar, me kulturë të gjerë dhe qasje të jashtëzakonshme tolerante, që i ka dhënë hapësirë, gjithherë, dialogut.

Në emër të familjes Fazliu, fjalën e mori Rinon Fazliu, djali i të ndjerit, i cili i përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke i falënderuar për pjesëmarrje në mbledhjen komemorative, të cilët kishin ardhur gjithandej Luginës së Preshevës, për ta ndarë dhembjen e përbashkët me familjen Fazliu.

Gjithashtu, kujtimet për prof. Zeqirja Fazliun, i shpalosi edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ragmi Mustafa, ish kryetar komune në Preshevë: “Me hidhërim të thellë pritëm lajmin e vdekjes së më të dashurit Tuaj e tonin. Ju humbët një bashkëshort, baba, vëlla e gjysh, por edhe ne humbëm një profesor të shkëlqyer, prijës të mençur, intelektual të mirëfilltë, bashkë-partiak të palodhur, personalitet tipik studiues që deri në ditën e fundit nuk iu nda librit e shkencës, këshilltar politik të mbarë, e çka jo tjetër”.

Në vazhdim zotëri Mustafa, nuk la pa përmendur kontributin e profesor Zeqirja Fazliut, në fushën e politikës, i cili “Për dhjetë vite me radhë udhëhoqi PDSH-në madje në situatat më të vështira të të bërit politikë në kohën e egërsisë politike në Serbi, periudhën e pushtetit qendror në Beograd të drejtuar nga diktatori apo kasapi i Ballkanit Milosheviq. Edhe përkundër një politike diktatoriale e shfarosëse ndaj shqiptarëve, kryetarit Zeqirja Fazliut, asnjëherë nuk iu tremb syri”.

Të dielën e 15 prillit, në moshën 78 vjeçare, ndërroi jetë profesori në pension Zeqirja Fazliu, i cili ka ka punuar si profesor i lëndës së biologjisë në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë dhe ka drejtuar për dhjetë vjet Partinë Demokratike Shqiptare, në Preshevë.

Lidhur me vdekjen e prof. Zeqirja, ish nxënësi i tij, shkrimtari Mexhid Mehmeti, shkruan: “Posa mora lajmin e hidhur për ikjen në amshim të bashkëvendësit, mikut e ish profesorit tim Zeqirja Fazliu, nga Zhunica e Preshevës. I ndjeri ishte profesor i biologjisë dhe drejtor në Gjimnazin "Skënderbeu" si dhe ish kryetar i PDSH - së në Kosovën Lindore. Vdekja e tij është humbje tepër e madhe për shqiptarët e asaj pjese të trungut shqiptar. Ngushëllime familjes, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë atyre që e njohin. Shpirti i tij u prehtë në paqe!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat