Reçica: Secili kontribuues i shoqërisë do të vlerësohet

Lajme

Reçica: Secili kontribuues i shoqërisë do të vlerësohet

Më: 16 prill 2018 Në ora: 15:55
Skender Reçica

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se trajtimi i artistëve dhe i komunitetit të artit me një ligj të veçantë, do të ishte nderë për shtetin por edhe për komunitetin e artit në përgjithësi.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, i pyetur nga deputeti Adem Mikullovci rreth pensioneve për artistët që kanë lënë gjurmë në art dhe kulturë.

“Jam i përkushtuar për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për secilin kontribuues të shoqërisë tonë, çdo herë duke pasur parasysh edhe mundësitë buxhetore të shtetit tonë. Natyrisht se në këtë proces do të koordinohemi edhe me Ministrinë e Kulturës dhe me komunitetin e artistëve, për të shikuar mundësitë që pensionet e artistëve kombëtarë por edhe pensionet e kategorive që kanë dhënë kontribut të veçantë për vendin, të trajtohen në mënyrë meritore”, ka thënë ministri Reçica.

Reçica tha se në programin legjislativ për këtë vit, është paraparë reforma pensionale sepse sipas tij, sistemi pensional në Kosovë ka hasur dhe është duke hasur në vështirësi të vazhdueshme.

“MPMS, në programin legjislativ të qeverisë për vitin 2018 ka paraparë hartimin e koncept dokumentit për ligjin e pensioneve. Jemi duke marrë përvojat nga vendet e ndryshme që reformat të jenë afatgjatë”, tha ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat