Daçiq s’e mohon ulësen e Kosovës në OKB, por thotë se për këtë vendos Serbia

Lajme

Daçiq s’e mohon ulësen e Kosovës në OKB, por thotë se për këtë vendos Serbia

Më: 15 prill 2018 Në ora: 07:23
Ivica Daçiq

Daçiqi s’e mohon ulësen e Kosovës në OKB, por thotë se për këtë vendos Serbia Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se qëllimi i tij është që numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën të ulet nën 100.

Në një intervistë për të përditshmen serbe, Daçiq ka thënë se ka formuar një ekip njerëzish të cilët enkas merren me çështjen e uljes së numrit të shteteve që kanë njohur “të ashtuquajturën Kosovë”, duke shtuar se për të ky është prioritet i aktivitetit politik të Serbisë.

I pyetur nëse ka mundësi reale për këtë, Daçiqi ka thënë se “ju garantoj”.

“I pari kam nisur të punoj në atë që shtetet të tërheqin njohjet... Njerëzit në Fixhi s’e kanë idenë që e kanë njohur të ashtuquajturën Kosovë. Disa [shtete] madje as e kanë njohur, e ndodhen në atë listën që e ka ministria e Jashtme e Kosovës”, tha ministri serb.

Sipas tij, edhe ministritë tjera duhet të merren me këtë çështje.

I pyetur nëse Kosova do të fitojë ulësen në Kombet e Bashkuara, ai tha se kjo do të nënkuptonte që Serbia t’i thoshte Rusisë dhe Kinës që të mos votojnë kundër hyrjes së Kosovës në OKB.

“A mund të mendoni që unë do ta bëja këtë? T’i them Lavrovit dhe kolegut tim kinez se deri më tani kam bërë shaka”, ka pyetur Daçiqi dhe ka shtuar se për çështjen e Kosovës duhet të arrihet deri tek një kompromis.

I pyetur nëse rezultati i atij kompromisi do të mund të ishte ulësja e Kosovës në OKB, Daçiq tha se kjo është e mundshme, përderisa pala serbe të pranojë atë dhe kurrsesi ndryshe.

Duke komentuar marrëveshjen ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, Daçiq tha se askush s’e di se çka përfaqëson ajo.

Ministri serb i Jashtëm foli edhe për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe tha se askush në Bashkimin Evropian nuk e arsyeton atë që “Prishtina nuk po dëshiron të formojë” Asociacionin.

Ai shtoi se BE-ja do të ushtrojë presion që AKS të formohet, sepse, siç tha ai, një gjë e tillë është premtuar.

I pyetur nëse më 20 prill serbët e Kosovës do të formojnë njëanshëm AKS-në, Daçiqi tha se “gjithçka varet nga pala serbe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat