Hoxha: Këtë vit lëvizim pa viza

Lajme

Hoxha: Këtë vit lëvizim pa viza

Më: 22 mars 2018 Në ora: 15:05
Dhurata Hoxha,

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kështu ka thënë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila në një konferencë për media është shprehur optimiste se plotësimi i këtij kriteri, i cili ka qenë kyç për këtë proces, do të bëjë që këtë vit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Ministrja Hoxha theksoi se tashmë gjithçka është në dorën e Bashkimit Evropian, meqë institucionet e Kosovës kanë kryer detyrat e veta. Sipas saj, as përfundimit të ratifikimit të demarkacionit, edhe kriteri tjetër, ai për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është plotësuar kënaqshëm.

Hoxha: Jemi optimist se këtë vit lëvizim pa viza

“Ne jemi shumë optimist që në kuadër të këtyre procedurave që përmenda dhe duke marrë parasysh procedurat që kanë marrë përafërsisht të njëjtën kohë me vendet tjera që kanë kaluar nëpër këtë proces, ne jemi optimist që qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë brenda vitit 2018”, tha Hoxha.

Ndërsa, duke folur për kriterin tjetër, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Hoxha ka përmendur raste konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që sipas saj, e përbëjnë këtë kriter të përmbushur.

Hoxha: Kriterin për luftën korrupsionit e kemi përmbushur

“Në kuadër të ekipit të përbashkët për luftimin e krimeve serioze, respektivisht udhëheqjen e Prokurorisë Speciale: Janë shënjëzuar 39 raste, janë ngrit 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallët e ndryshme të shqyrtimit gjyqësor, 7 raste janë përmbyll në formë të vendimit të prerë. Vlerësimi i jonë është që për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur”, u shpreh Hoxha.

Ministrja Hoxha ka shpjeguar edhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren deri në liberalizimin e vizave për Kosovën.

Hoxha: Hapat që duhet të merren tash nga ana e BE-së

“Ky synim nënkupton hapat si në vijim, fillimi i negociatave për plotësim ndryshim Rregullores 539/2001 në mes 3 institucioneve kryesore të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian;  2. Miratimi i Rregullores në seancën plenare të Parlamentit Evropian; 3. Miratimi i Rregullores nga Këshilli i Ministrave; 4. Ceremonia e nënshkrimit; 5. Publikimi në gazetën zyrtare dhe 6. Hyrja në fuqi. Ne presim që e gjithë procedura e cekur të mos merr më shumë se 6 muaj. Kjo është një përvoje kohore në rastin e Gjeorgjisë. Mirëpo, duhet nënvizuar që tani institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat e veta dhe përgjegjësia është në anën e institucioneve të BE-së për të marr hapa institucional në afat sa më të shkurtër kohor”, theksoi ajo.

Pro këtyre ndryshimeve që i mundësojnë Kosovës liberalizimin e vizave, duhet të votojnë 16 vende anëtare që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së. Ndërsa, në seancën plenare të Parlamentit Evropian, votimi do të bëhet me shumicë të thjesht në leximin e parë dhe në lexim të dytë me shumicë absolute.

Megjithatë, ministrja Hoxha shpreson se nuk do të bëhet ajo pakica prej 35 për qind e popullsisë së BE-së që do të mund ta bllokonte procesin e liberalizimit. Derisa, pesë vendet që ende s’e njohin Kosovën, sipas saj, nuk e përbëjnë këtë përqindje dhe nuk do të mund ta bllokojnë.

Hoxha: Pesë vendet që s’na kanë njohur s’mund të na bllokojnë

“Një gjë që duhet të kemi parasysh është se edhe nëse kemi, në rast se kemi, ta quajmë kushtimisht një refuzim apo mëdyshje nga këto pesë vende, shtetet të cilat mund ta bllokojnë procesin duhet ta përbëjnë 35 për qind të shumicës bllokuese, apo të pakicës bllokuese në popullatën e BE-së, dhe këto pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e përbëjnë 35 për qindëshin bllokues”, theksoi ajo.

Në qershor të vitit 2012, Kosova pranojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili kishte 95 kritere që duhet të përmbusheshin nga Kosova, më shumë se cilido shtet tjetër që ka kaluar nëpër këtë proces.

Që nga ajo kohë, ministrja Hoxha tha se institucionet e Kosovës kanë qenë subjekt i vlerësimit më rigoroz që është aplikuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian në kuadër liberalizimit të vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat