Vuçiq merret me Avdullah Hotin

Lajme

Vuçiq merret me Avdullah Hotin

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 13:08
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili njihet për komentet e tij për skenën politike të Kosovës, e ka bërë edhe një të tillë. Ai kësaj here ka folur për deklaratën e Avdullah Hotit kundër Edi Ramës. Sipas Vuçiqit, Hoti i ka reaguar Edi Ramës për çështjen e “Presidentit gjithëkombëtar” pasi që është nxitur nga ndërkombëtarët.

Gjatë një interviste për një televizion në Serbi, Vuçiq ka komentuar deklaratat e Avdullah Hotit që doli kundër Edi Ramës, pasi ky i fundit tha në Kuvendin e Kosova se Shqipëria dhe Kosova në të ardhmen do të kenë një President të përbashkët.

Shefi i grupit parlamentar të LDK’së, duke i reaguar Ramës, kishte thënë se kjo është mungesë respekti për aspiratat e shqiptarëve.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, pat shkruar Hoti.

E, sipas Vuçiqit kjo deklaratë është nxitur nga ndërkombëtarët.

"Përfaqësitë perëndimore i kanë shtyrë partitë politike në Kosovë të reagojnë negativisht ndaj deklaratës së Ramës. E gjetën një funksionar, Abdullah Hotin nga LDK’ja opozitare, i cili tha se Tirana nuk po e respekton mjaftueshëm Prishtinën. Por, askush tjetër nuk tha asgjë”, ka thënë Vuçiq derisa ka komentuar deklaratatë e Ramës në Parlamentin e Kosovës.

Vuçiq ka shprehi të bëjë komente për zhvillimet politike në Kosovë. Ai në një deklaratë e kishte përshkruar Kadri Veselin si njeriun më të fuqishëm në skenën politike, ndërkohë që kishte folur edhe për Lutfi Hazirin e Vjosa Osmanin, për të cilën kishte thënë se po përgatitet për të ardhur në krye të LDK’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat