Pas disa dekadash, Kuvendi i Preshevës flet e vendos edhe serbisht!

Lajme

Pas disa dekadash, Kuvendi i Preshevës flet e vendos edhe serbisht!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 08:22
Kuvendi i Preshevës

Seanca e  Parlamentit të ri komunal në Preshevë, do ta mbaj mend 19 shkurtin, si një datë shumë e çuditshme për të ardhmen e qeverisjes lokale e cila vjen jo më larg se dy ditë nga shënimi i përvjetorit të 10-të të pavarësisë së Kosovës.

Punimet e Kuvendit të ri Komunal, i udhëhoqi njëri nga dy këshilltarët serbë, meqë ishte më i vjetri në moshë dhe sipas rregullores së kuvendit, duhej të ulej në foltoren kryesore, nga 38 këshilltarët shqiptarë, të cilët sipas bontonit duhej të flisnin në dy gjuhë.

Fillimi i kësaj seance me karakter konstituimi, nga këshilltarët shqiptarë dhe qytetarët, që e përcillnin drejtpërdrejtë Kuvendin e kishin me shumë siklet, ngase për disa dekada me  radhë nuk ishin mësuar të dëgjonin këso përzierjesh fjalësh shqip-serbisht e anasjelltas.

Pas një mori kritikash e akuzash të ashpra në mes dy blloqeve shqiptare 18 me 18 këshilltarë shqiptarë, të cilët synonin kreun e legjislativit, dolën dy këshilltarë serb dhe e zgjidhën “Nyjën Gordiane!”, me dëshirën e Beogradit dhe disa shqipfolësve.

Dy këshilltarët serbë nga 38 këshilltarët sa ka në përbërje Kuvendi Komunal i Preshevës, i vunë kapakun kësaj çështjeje, duke u pozicionuar në bllokun e 18 këshilltarëve të Alternativës për Ndryshim dhe Lëvizjes për Reforma PDSH, duke lënë në opozitë bllokun tjetër të këshilltarëve shqiptarë nga radhët e PDSH, PVD dhe BDL.

Me këtë vendim dy këshilltarëve serbë, bëhen pjesë e qeverisjes lokale, duke marrë pushtet, më shumë se sa u takon ligjërisht. Për zëvendës kryetar zgjidhet Branko Trajkoviq, duke ringjallur frymën e Filipoviqit, që dikur në monizëm sundonte Preshevën me 95 për qind shqiptarë.

Me 20 vota “Për” këshilltarët e Kuvendit u votuan për kryetar  Sami Salihun nga Lëvizja për Reforma dhe pritet po ashtu me votat e Listës serbe të zgjidhte edhe kreu i ekzekutivit nga radhët e Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi.

Në orët e mbrëmjes përfundoj seanca e parë e Kuvendit Komunal të Preshevës, me zgjedhjen e Shqiprim Arifit, kryetar, Armend Aliu dhe Këshilli Komunal prej 11 anëtarësh.

Vlen të ceket se në Komunën e Preshevës, janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme lokale, më 24 dhjetor 2017 dhe pas dy muaj po konstituohet parlamenti i ri lokal me  Alternativa për Ndryshim - 15 këshilltarë, Partia Demokratike Shqiptare - 11 këshilltarë, Partia për Veprim Demokratik - 6 këshilltarë, Lëvizja për Reforma –PDSH - 3 këshilltarë, Lista Serbe me 2 këshilltarë dhe 1 këshilltar nga radhët e Bashkimi Demokratik të Luginës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat