Vuçiq flet për raportet Ivanoviq-Radojiçiq

Lajme

Vuçiq flet për raportet Ivanoviq-Radojiçiq

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 22:40
Oliver Ivanoviq është vrarë me armë zjarri dje në Mitrovicë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sonte se konflikti ndërmjet liderit të vrarë të Iniciativës Qytetare SDP Oliver Ivanoviq dhe Milan Radojiçiq ka zgjatur që nga viti 2000.

Ai tha se asnjëherë me Radojiçiq nuk ka biseduar, as me telefon dhe as direkt.

“Ndoshta Radojiçiq ishte në ndonjë takim në të cilin kam qenë. Nuk e hedh poshtë mundësinë që ai të ketë marrë pjesë, por ai njeri e ka ditur se të gjithë do të drejtojnë gishtin drejt tij. 10, 15 vjet ka zgjatur konflikti ndërmjet tyre…. Që nga viti 2000. A është budalla, apo i çmendur, apo çfarë është në pyetje? Ndoshta edhe është, por organet kompetente do ta vërtetojnë këtë”, ka thënë Vuçiq. 

Sipas tij, hetimi për vrasjen e Ivanoviq nuk është duke u kryer në të gjitha drejtimet, por vetëm ashtu sikurse po i konvenon dikujt.

“Jam i sigurt se këtu janë të përfshirë njerëz nga anë të ndryshme”, tha Vuçiq, duke mos dhënë detaje tjera.  Ai tha se e gjithë kjo është organizuar me qëllim të caktuar që “veriu i Kosovës të rrëmbehet nga serbët”. 

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar para zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës. Sipas të dhënave nga obduksioni, ai është qëlluar me gjashtë plumba nga “nëntëshja e gjatë” dhe jo shumë larg nga vendi i vrasjes është gjetur edhe një veturë e djegur. 

Ivanoviq më herët kishte shfaqur frikën nga ndonjë atentat i mundshëm. Ai kishte thënë se nuk iu frikësohet shqiptarëve, por serbëve dhe kriminelëve, të cilët voziten me makina pa tabela në veri dhe policia nuk reagon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat