Vuçiq: Kosova, bashkë me Uashingtonin dhe Londrën luftojnë kundër Serbisë

Lajme

Vuçiq: Kosova, bashkë me Uashingtonin dhe Londrën luftojnë kundër Serbisë

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 13:07
Aleksander Vuciq

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se kompromisi me shqiptarët është me interes jetësor për Serbinë dhe popullin serb.

Kompromis, e jo zmbrapsje, ka theksuar Vuçiqi pas takimit me studentët e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë.

Ai ka thënë se pozita e Serbisë është tejet e rëndë.

“Serbia në arenën politike me vështirësi e përballon luftën me fuqitë e mëdha. Ne nuk luftojmë kundër Prishtinës dhe përfaqësuesve të tyre politikë. Por kundër nesh lufton Prishtina, e bashkë me Prishtinën edhe Uashingtoni dhe Londra, gjithkund në botë, në çdo vend”, ka deklaruar presidenti serb.

Sipas tij, SHBA-të, Anglia dhe aleatët e tyre po ushtrojnë presion të drejtpërdrejtë mbi vendet që të mos e tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe mbi vendet që ende s’e kanë bërë këtë që ta njohin.

Vuçiq ka shtuar se gjatë bisedës me studentët serbë nga Kosova është bindur se ata e kuptojnë se serbët duhet patjetër të tentojnë të arrijnë kompromis me shqiptarët, kurse ata që këtë e kundërshtojnë s’e kuptojnë se me këtë humbin të gjithë, edhe Serbia edhe serbët, sepse, siç theksoi “ne vështirë se do të jemi më në Kosovë”.

Duke folur për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Vuçiq ka thënë se Serbia me durim do t’i presë rezultatet e hetimeve.

“Atëherë do të dalim me të gjitha gjërat e çuditshme që ndodhnin. Si është e mundur që të mos kemi xhirime satelitore”, ka thënë Vuçiqi duke shtuar se i uron Prishtinës “fat në gjetjen e vrasësit”.

“Që të jenë prova të vërteta, e jo të arrestuarit t’i lirojnë pas 15 minutave”, ka theksuar presidenti serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat