Axha i të vrarit në Siri: Mediat do t’i dënojë Zoti që raportuan për vrasjen e nipit tim

Lajme

Axha i të vrarit në Siri: Mediat do t’i dënojë Zoti që raportuan për vrasjen e nipit tim

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:18
Ilustrim

Nëse jo njeriu, Zoti, do t’u japë ndëshkimin mediave e kujtdo që ka luajtur me ndjenjat e familjes së tij. Kështu beson Ismet Ibrahimaj, axha i Betim Ibrahimajt, shtetasit të Kosovës të vrarë në Siri. I riu nga Istogu që gjeti vdekjen në ISIS, do të duhej të ishte në bankën e të akuzuarve në Kosovë, por pas dy viteve iku nga arresti shtëpiak për të vdekur në “token e Shamit”.

Në lagjen e Shqiponjave, në periferi të Istogut, javën e shkuar familja Ibrahimaj kishte hapur të pamën për Betimin. Për 31 vjeçarin nga Siria ka ardhur lajmi se është vrarë, në luftimet e ISIS’it.

Qëndrimi në Siri për të ishte hera e dytë, dhe e fundit.

Betim Ibrahimaj në nëntor të vitit 2015 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, në mesin e pjesëtareve të grupit të njohur si “Badovci”, që më pas ishin dënuar më 49 vite burgim gjithsej, rast që Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim.

I akuzuari për “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “Përgatitja e veprave terroriste”, i kishte pranuar hetuesisë se ka qenë për gati 2 vjet i pranishëm në zonat e konfliktit në Siri e Irak. Megjithëkëtë, Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte caktuar atij arrestin shtëpiak, si masë të sigurisë ndaj tij.

E kjo, të riut nga Istogu i kishte mundësuar që të kthehej sërish në token e shamit. Betim Ibrahimaj në vitin 2016 duke u arratisur nga Kosova, i ishte bashkuar për të dytën herë organizatës terroriste ISIS.

Dy vite më pas, familjes dhe policisë së Kosovës i kanë ardhur informacione se shtetasi i Kosovës është terroristi i 76 nga Kosova i vrarë në luftimet në Siri e Irak.

Policia thonë se nuk posedojnë ndonjë dëshmi apo dokumentacion zyrtar për këtë, referuar situatës në zonat e konfliktit. Megjithatë, familja e të istogasit ka hapur të pame gjatë javës së shkuar, në lagjen e Shqiponjave në Istog, ku edhe banojnë.

Express, të mërkurën ka qëndruar atje, ku ka takuar axhën e të vrarit, Ismet Ibrahimajn. Ndonëse nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë rreth nipit dhe vrasjes së tij, Ibrahimaj ka shprehur mllefin e tij për mediat dhe të gjithë ata që interesohen për vrasjen e shtetasit të Kosovës të ISIS’it.

“Po na vjen keq nuk jemi të gatshëm me thanë kurgjo”, ka thënë fillimisht Ibrahimaj.

Më pas ai filluar të kritikojë mediat që kanë publikuar fotografi në ISIS të nipit të tij, një disa prej të cilave shihet përkrah krye terroristit Lavdrim Muhaxheri, po ashtu i vrarë në Siri.

“Jeni shumë  të pa përgjegjshëm. E di që përfitoni, e keni bukë”, tha xhaxhai i Betim Ibrahimajt, të mërkurën në mesditë.

Thotë se kur është raportuar vrasja e nipit dhe i janë publikuar fotografi është luajtur me ndjenja të familjareve.

“Veç , ai nalt ka me ju dënu, ose sot ose nesër”, thotë ai.

“Dine se kemi ni zot, e keni me u dënu. Ndoshta jo prej meje po prej atij”, insiston ai, duke pohuar se janë të shqetësuar nga raportimet dhe paralajmëron padi për publikim të fotografive në media të nipit të tij terrorist.

Betim Ibrahimaj është shtetasi i Kosovës i tretë që vritet në Siri, ndërkohë se do të duhej të ndodhej në vendlindje duke u gjykuar për terrorizëm.

Sikurse ai, nga arresti-shtëpiak kishin ikur edhe Irfan Haqifi e Beklim Mulollli, e që më pas ishin vrarë në ISIS.

Ndryshe, brenda kësaj jave përveç Ibrahimajt, në Siri është raportuar se është vrarë edhe Kastirot Ademi nga Pestova e Vushtrrisë. Ky në Siri kishte shkuar prej Gjermanie, ku jetonte me familjen që nga fëmijëria.

76 është numri i shtetasve të Kosovës që raportohet se janë vrarë në Siri e Irak, nga 405 xhihadistë nga Kosova që i janë bashkuar organizatave terroriste ‘Al Nussra’ e ISIS, në pesë vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat