Dalin në dritë detajet: Ja pse Bukoshi nuk i kishte ndihmuar Jasharit, kjo është arsyeja pse Ademi nuk ishte takuar me Hashimin, “Gjarprin” - Bota Sot
Dalin në dritë detajet: Ja pse Bukoshi nuk i kishte ndihmuar Jasharit, kjo është arsyeja pse Ademi nuk ishte takuar me Hashimin, “Gjarprin”

Lajme

E mërkurë, 21 shkurt 2018

Dalin në dritë detajet: Ja pse Bukoshi nuk i kishte ndihmuar Jasharit, kjo është arsyeja pse Ademi nuk ishte takuar me Hashimin, “Gjarprin”

Nga: P.R Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 11:36
Foto arkiv, Adem Jashari me bashkëluftëtarë

Në librin e tij, “Lufta pa Maska”, ish ushtari i UÇK-së, dhe ish deputeti i LDK-së, Gani Geci rrëfen disa detaje interesante nga lufta në Kosovë.

E njëra ndër to është ajo se kur komandanti legjendar, Adem Jashari nuk ishte ndihmuar nga Bujar Bukoshi.

Image
Gani Geci

“Gjatë kësaj kohe Komandanti kishte kërkuar nga Bujar Bukoshi 600'000 DM për armatim, mirëpo Kryeministri i atëhershëm, edhe përkundër premtimeve, nuk i kishte ndihmuar Ademit, i cili kishte mbetur pa mjete e pa armë. Kurse Rexhep Selimi dhe shokët e tij kishin mjete financiare dhe ngapak armatim. Dihet mirëfilli se luftë pa mjete nuk ka. Adem Jashari është injoruar shumë nga këta njerëz. Në Gjermani gjendej Sami Lushtaku, kurse në Suedi, Sahit Jashari. Në Kosovë kishin filluar të bëheshin shumicë njerëzit e Rexhep Selimit, prej kufirit me Shqipëri e deri në Drenicë, kurse Legjenda kishte mbetur vetëm me dajallarët dhe Prekazin, pa Musa Jasharin i cili kishte kaluar në Obri dhe rrallë vinte në Prekaz”, rrëfen Geci në librin e tij, shkruan “Bota sot”.

Sipas Gecit, gjatë asaj kohe kishte ardhur ilegalisht në Kosovë Hashim Thaçi - Gjarpri, me Jakup Nurën, mirëpo nuk ishin takuar me Ademin dhe sërish ishin kthyer në Shqipëri e prej aty në Zvicër.

Image
Kopertina e librit “Lufta pa Maska”

“Ademi na tregoi se në Kosovë kishte ardhur “Gjarpëri”, i cili kishte ikur pa u takuar me të. Arsyeja e vetme për këtë shmangie duhet të ketë qenë fakti se Legjenda do t'i kërkonte llogari Hashim Thaçit për paratë dhe premtimet. Komandantin e kishin tradhëtuar edhe Bujar Bukoshi edhe Hashim Thaçi, ky i fundit i kishte bërë njerëzit për vete përmes tij, ndërsa Bukoshi nuk ia kishte dhënë mjetet e premtuara. Ademi mundohej ta mbante Drenicën gjallë me pak armë që kishte nga fillimi dhe me ato që i grabiteshin policisë e ushtrisë serbe. Të gjitha mjetet nga mërgata, si nga LPK-ja ashtu edhe nga Qeveria tuboheshin në emër të luftës, ndërsa lufta me ato para fare pak ndihmohej”, rrëfen Geci në librin e tij, “Lufta pa Maska”, shkruan “Bota sot”.

“Një ditë, së bashku me Sejdi, Xhevahir dhe Safet Gecin, shkuam te Legjenda. Hamza më tregoi se si po shkonin punët në Drenicë, duke më thënë: - I kemi punët shumë keq, sepse luftën tonë po e kontrollon Fatos Nano dhe LPK-ja, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk po do të inkuadrohet dhe t'i marrë punët në dorë. Ne kemi biseduar përmes Rifatit me kryeministrin, por ai nuk është përgjegjur dhe nëse vazhdon kështu shumë keq i kemi punët. Rexhep Selimi nuk po vjen më te ne, ka bërë njerëz tjerë. Më se gjashtë muaj kanë kaluar dhe ai nuk ka qenë te ne. Baba me Ademin, janë irrituar shumë në këtë njeri, sepse i kishte mashtruar. Madje as nuk ia ndien më për ne. Ai ka bërë pare dhe po i paguan njerëzit për aksione, ndërsa me Ademin nuk flet më”, shkruan në libër.

Sipas Gecit, ishte vëllai i Adem Jasharit, Hamza, ai i cili ia kishte shpjeguar këto fërkime.

“Hamza m’i shpjegoi të gjitha këto fërkime, të cilat nuk i kisha ditur më parë. Më vonë ia morëm këngës së Zhujë Selmanit, derisa erdhi Komandanti, i cili kishte dalë me Xhevahirin dhe Sejdinë. Atë ditë mësova shumë gjëra, për të gjitha e njoftova Jetullah Gecin, komandant i fshatit tonë. Që nga ajo ditë fillova të bëhesha gjithnjë e më i kujdesshëm, sepse Rexhepi kishte premtuar armë për Llaushën, ndërsa këto armë i merrte Sabit Geci, e jo Jetullah Geci, i cili ishte përgjegjës për Llaushë”, rrëfen Geci në librin “Lufta pa Maska”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test