Sigurimi i diskotekës dëshmon në gjykimin e Granit Elshanit

Lajme

Sigurimi i diskotekës dëshmon në gjykimin e Granit Elshanit

Më: 25 janar 2018 Në ora: 23:44
Ilustrim

Dy ish-punëtorët e sigurimit të diskotekës “City Club” në Pejë sot kanë dhënë dëshmitë e tyre në procesin gjyqësor ndaj Granit Elshanit, lidhur me incidentin e janarit të vitit 2010, ku nga plumbat u vra një person e tre të tjerë u plagosën.

Dëshmitari Kushtrim Hyseni gjatë dëshmisë se tij tha se ishte shok me bashkëpronarët e diskotekës dhe kur organizoheshin mbrëmje muzikore tha se qëndronte krah tyre.

“Bash sigurim s’kam qenë, sepse aty ka qenë një kompani private që e ka mbajt sigurimin. Unë i kam pas shokë Kaqën (Besart Shabi) dhe Artan Biben, edhe qaty me ta kur kanë mbajt muzika jam kanë krah i tyre kur ka pas nevojë për ndonjë problem ose diçka tjetër”, tha Hyseni

Ai tregoi se gjatë asaj mbrëmjeje kishte pasur shumë mysafirë, ndërsa ai kishte qenë në lëvizje brenda lokalit.

“Gjatë mbrëmjes kam lëvizur gjithkah, sa nalt, sa poshtë, sa te bina, gjithkah nëpër lokal”, tha ai.

Dëshmitari Hyseni tregoi  se ishte larg vetëm 4-5 hapa kur kishin ndodhur të shtënat që ia morën jetën bashkëpronarit të diskotekës, Besart Shabit. Pak çaste më parë ai tha se kishte biseduar me të ndjerin Shabi.

“Momentin kur i kam dëgjuar të shtënat unë jam kanë me Besartin, janë kanë disa shkalla të drurit, edhe tha Besarti heki do njerëz prej shkallëve se janë shumë e mos po i lëshojnë. Masandej pasi i kam bërë 4-5 hapa, i kam dëgjuar do të shtëna. Mandej jam ulë në tokë, e kam prek veten mos kam ndonjë plagë, e kam pa që s’kam kurgjo, jam çu në këmbë e kam pa tollovi, njerëzit tu ikë jashtë. Në atë moment e kam pa një person me dy alltia duke gjuajt përpjetë”, tha Hyseni.

Përshkrimin e personit që mbante dy armë në duar dëshmitari e bëri se ai ishte i gjatë 1 metër e 90 centimetra dhe flokë të bardha.

Ai tregoi edhe kur një grup personash iu kishin vënë pas edhe jashtë diskotekës personit që kishte shtënë me armë brenda lokalit.

“Pastaj kam dal jashtë e kam fillu me ngajtë Artan Bibaj, Luan Bibaj, Xhevdet Kelmendi e shumë vetë tjerë, në atë kohë kam vrapu edhe unë mbas Artanit edhe Luanit deri diku afër pompës se benzinës”.

Dëshmitari tha se rrugës derisa po vraponin kishte dëgjuar edhe disa të shtëna të armëve.

Ai shtoi se kur kishin mbërritur afër rrugës afër “Kullës së Pashës” ishin afër rreth 15 metra me personin që po e ndiqnin, ndërsa theksoi se në ato momente e kishte kuptuar se aty ishte edhe Xhevdet Kelmendi, kur ai kishte shtënë me armë.

Kur dëshmitari Hyseni tregoi se po ktheheshin në drejtim të diskotekës pasi e kishin ndjekur personin që kishte shtënë me armë, avokati i Granit Elshani, Ndrec Dodaj, e pyeti se a kishte biseduar me ndokënd se kush mund të ishte kryesi i asaj vepre.

Këtë pyetje avokati Dodaj i tha dëshmitarit po ia parashtron sepse një dëshmitar ia ka përmendur emrin se ai kishte thënë “s’po mundem me besu qe ke Graniti”

Por këtë konstatim e kundërshtoi kategorikisht dëshmitari.

“Jo nuk është e vërtetë, e di që ka thënë se kanë shkru gazetat. Na s’kemi pasë idenë as çfarë ka ndodhur aty brenda, dhe as nuk kemi diskutuar asgjë se nuk e dinim as çka ka ndodhur. Emrin e Granit Elshanit për herë të parë e kam dëgjuar kur prokurori Haxhi Sinanaj me ka thirrë në telefon edhe me ka thënë: Po të thirri me dëshmu kundër Granit Elshanit. Unë i thash vij të dëshmojë për një person me flokë të bardha, i gjatë që mbante dy alltia në dorë”, u përgjigj dëshmitari.

Me pas ai tha se ishte kthyer sërish te diskoteka kur me të marrë lajmin për Besart Shabin tha se ishte nisur drejt Spitalit.

“Andej jam kthyer të diskoteka edhe kam vet a është dikush i vrarë apo diçka, me kanë tregu që Kaqën e kanë pa edhe thanë që me doket është i vdekur. Në atë moment ju kam fut dikujt në makinë edhe kam shku në Spital, aty e kam marr vesh se Kaqa ka vdekur”, tha ai.

I pyetur se çfarë raporte kishte me Valdet Kelmendin, i njohur me nofkën Lara, dëshmitari tha se kishte raportet normale me të.

“Kurgjo speciale s’kam pas raporte me Larën. Thjesht jemi  njoftë, jemi përshëndetë mes vete, ka pasë rast edhe kur kemi nejt bashkë”, tha dëshmitari.

Ai tregoi edhe për një bisedë që kishte pasur me anëtarin e familjes Kelmendi pas incidentit që kishte ndodhur në diskotekën “City Club”.

“Larën e kam pa mbas rastit. Kemi ndejt me të edhe kemi biseduar. Lara më ka thënë se Granit Elshanin e ka pasë në klasë, edhe s’ka qenë Graniti se e kisha njoftë. Ka pasë edhe dëshmitar tjerë aty, po njerëzit po tuten me ardhë me dëshmu”, tha Kushtrim Hyseni.

Ai në fund i tha trupit gjykues se nuk ndihet i sigurt pas dëshmisë së tij, me arsyetimin se dikujt i pengon të thuhet e vërteta.

Zenel Zeneli ishte dëshmitari i radhës që u dëgjua në procesin gjyqësor që po zhvillohet për incidentin e ndodhur në diskotekën “City Club”.

Dëshmitari tha se atë natë ishte ma paterica sepse e kishte këmbën e lënduar. Atë natë ai tha se ishte në katin e dytë kur ndodhën të shtënat.

“Ora nuk me kujtohet saktë sa ka qenë, pak di ta përshkruaj çfarë ka ndodhur. Unë kam qenë në katin e dytë, në një moment i kam dëgjuar të shtënat e armës, jam çu në këmbë edhe e kam parë një djalë të ri, të gjatë me dy alltia në duar dhe kush ka qenë në këmbë ai e gjuante. Të gjithë jemi detyruar të shtrihemi për tokë, se ka gjuajt nga të gjitha anët”, tha Zeneli.

I pyetur se a ka pasur sigurim tek dera e diskotekës gjatë kohës kur kishte ndodhur incidenti, dëshmitari u përgjigj se rreth gjysme ore me herët bashkëpronari i diskotekës Besart Shabi kishte kërkuar që sigurimi të futej brenda lokalit.

Më pas dëshmitari e bëri përshkrimin e personit që kishte dy armë në duar.

“Ka qenë i gjatë diku 1 metër e 75 cm, ndoshta ka qenë edhe 1 metër e 80cm”, tha ai.

Gjatë seancës se sotme u dëgjua edhe dëshmitari Esat Osmani. Fillimisht ky dëshmitar kishte për t’u dëgjuar gjatë seancës së djeshme, mirëpo ai nuk ishte paraqitur. Prokurori i EULEX-it u tërhoq nga dëgjimi i këtij dëshmitari, mirëpo mbrojta e Granit Elshanit e propozoi që i njëjtit të dëgjohet në këtë proces gjyqësor.

Esat Osmani tha së natën e 2 janarit 2010 kishte shkuar vetëm në diskotekën “City Club”, dhe kishte qëndruar në fund të shkallëve të drurit.

Ai tha se të shtënat kishin ndodhur nga mesi i lokalit.

“S’kam mujt me pa krejt, veç e kam pa se ka qenë i armatosur me dy revole, ka qenë duke u larguar nga vendi i ngjarjes, diku 3-4 metra larg meje, që isha në fund të shkallëve. Fytyrën nuk kam mujtë t’ia shoh se unë kam qenë i ulur”, tha Osmani.

Ai përshkroi edhe pamjen e personit që kishte shtënë brenda diskotekës.

“Qysh e mbaj mend unë ka qenë i gjatë 1.80 centimetra, me peshë 70 deri 80 kilogram. Nuk kam mujt me pa çfarë flokë ka pasur, po jaknen e ka pasur më doket ngjyrë kafe”, tha ai.

I pyetur nga avokati i Granit Elshanit, Ndrec Dodaj, se disa orë pas incidentit a kishte dhënë deklaratë në Polici rreth këtij rasti dhe a ishte kërkuar ta identifikojë të dyshuarin, dëshmitari tha se nuk kishte mundur ta bëjë një gjë të tillë.

“Atë natë i kanë pru tre persona dhe unë s’kam mujtë t’i identifikojë”, tha dëshmitari.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit.

Siç përshkruhet në aktakuzë natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat