Historia e dy familjeve të hasmëruara në Kosovë

Lajme

Historia e dy familjeve të hasmëruara në Kosovë

Më: 23 janar 2018 Në ora: 22:18
Anton Çeta

Kronologjia e konfliktit mes dy familjeve me të hasmëruara në Kosovë, Elshani-e Kelmendi, është propozuar nga prokurori i EULEX-it, Adrew Hughes, të administrohet si provë në gjykimin e Granit Elshanit, i cili po akuzohet për kryerjen e 6 veprave penale.

Ky propozim Gjykatës i është dorëzuar më 29 nëntor të vitit 2017, tha kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu.

Mirëpo këtë propozim e ka kundërshtuar mbrojta e Granit Elshanit.

Avokati Ndrec Dodaj tha se në shkresën e parashtruar nga prokurori nuk i plotëson as kushtet elementare të procedohet si provë.

“Këtu kemi të bëjmë vetëm me të dhënat lidhur me ngjarjen dhe kush është viktimë. Nuk e kemi asnjë indikacion se kush është kryesi”, tha avokati i Granit Elshanit

Avokati Dodaj tha se nga 24 raste të vrasjeve mes këtyre dy familjeve, vetëm në dy prej tyre janë zhvilluar procedura, kurse në shumicën e rasteve tjera ai tha se nuk ka pasur as fillim të hetimeve.

“Pra nga viti 2000 e gjer në vitin 2014, kur ka qenë rasti i fundit, kanë qenë 24 raste. Përjashtuar vetëm rastin e vitit 2000 ku është plagosur vetë i pandehuri, si dhe rasti i vitit 2006, ku viktimë ka qenë Jakup Osmani, janë zhvilluar procedurat, janë zhvilluar hetime. Nuk jam i sigurt se si ka rezultuar por për rastin e 2006 sa jam në dijeni ka përfunduar me aktgjykim lirues. Nga këto 24 raste nuk shoh se kemi përfshirje të këtij të pandehuri në çfarëdo rasti”, tha ai.

Informacionet e propozuara nga prokurori, sipas avokati Dodaj, nuk e kanë vlerën as besueshmërinë e kallëzimit penal, e aq me pak të provës.

Ai po ashtu theksoi se nga këto informacione të propozuara nuk ka parë asnjë provë të përbashkët me çështjen penale për çka po akuzohet Granit Elshani.

Në një rast, avokati Dodaj tha se ky është një provokim profesional nga ana e prokurorit për nivelin e arsimit të trupit gjykues dhe mbrojtjes.

“Unë këtë propozim e konsideroj provokim profesional, në një mënyrë të testohet niveli i arsimimit të trupit gjykues dhe të mbrojtjes, andaj kërkoj që ky propozim të hidhet”, tha Dodaj.

Në anën tjerë prokurori i EULEX-it, Adrew Hughes, tha se po kërkon që kronologjia e këtij rasti të jetë pjesë e shkresave të lëndës.

“Gjykata dhe mbrojtja janë të vetëdijshëm se në vrasje motivi është një faktor relevant. Ne thjeshtë po kërkojmë që kronologjia e 24 rasteve të jetë pjesë e shkresave të lëndës. Domethënë dy vëllezër dhe babai i të pandehurit janë vra si pjesë e kësaj historie, dhe në pretendojmë se kjo është një vrasje e qartë e hakmarrjes”, tha prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kundërshtime pati nga prokurori edhe kur mbrojtja propozoi disa prova përmes parashtresës së dorëzuar në Gjykatë.

Mbrojtja kishte propozuar si prova një letërnjoftim të Serbisë për çka u tha se argumentohet se Granit Elshani ka hyrë në mënyrë të rregullt në Kosovë. Me ketë provë, sipas avokati të Granit Elshanit, demantohet pretendimi se i njëjtit ka ardhur për qëllime të hakmarrjes.

Ai tha se qëllimi i ardhjes së Granit Elshanit ishte t’i nxjerrë dokumentacionet për të lëvizur lirshëm.

Po ashtu mbrojta ka propozuar disa fotografi të natës kritike kur kishte ndodhur incidenti në diskotekën “City Club” me 2 janar të 2010-ës.

Prokurori Adrew Hughes i kundërshtoi këto propozime të mbrojtjes me arsyetimin se këto prova vetëm se do ta zgjasin gjykimin, për të cilin tha se është afër përfundimit.

Gjatë seancës se sotme ka dëshmuar, Ilir Kukaj, shefi i Divizionit të balistikës në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë në Prishtinë.

Ai tregoi për ekzaminimin e armëve, plumbave në trupat e viktimave dhe gëzhojat nga të shtënat e armëve.

Në pyetjen e prokurorit, eksperti i balistikës tha se i kanë pranuar disa prova nga Drejtoria e Hetimeve Rajonale të Policisë së Pejës rreth këtij rasti në vitin 2010.

Po ashtu në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar edhe Rukmane Hyseni, bashkëshortja e nipit të Granit Elshanit.

Gjatë dëshmisë se saj ajo tha se natën kritike Granit Elshani ishte mysafir në shtëpinë e tyre në fshatin Ramun të Pejës.

Dëshmitarja tha se Granit Elshani atë natë nuk kishte dalë nga shtëpia fare.

Ajo u ballafaqua nga prokurori edhe me deklarata e mëparshme rreth këtij rasti, mirëpo tha se e vërteta është në atë se çfarë ka deklaruar në dy herët e fundit.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Vëllai i Xhevdetit, Valdet Kelmendi, i njohur në qytetin e Pejës me nofkën Lara, u vra në mes të qytetit në vitin 2014 nga një breshëri plumbash që u shkrepën nga një veturë e tipit Xhip. Në atë rast humbi jetën edhe një person i moshuar dhe u plagosën edhe 5 persona të tjerë.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë./kallxo.com/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat