Belaja që lindi nga ‘stërpikja’ me ujë nga vetura, del në gjykatë

Lajme

Belaja që lindi nga ‘stërpikja’ me ujë nga vetura, del në gjykatë

Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 20:59
Gjykimi për stërpikjen me ujë

Në shqyrtimin gjyqësor ku Sami Gashi po akuzohet se e ka grushtuar dhe më pas i ka drejtuar armën Alban Gashit, e gjithë ngjarja thuhet të ketë rrjedhur si pasojë e një mosmarrëveshje për shkak se njëri e kishte “stërpikur” me veturë tjetrin.

Në këtë shqyrtim gjyqësor ku i akuzuar për armëmbajtje pa leje është Sami Gashi, dëshminë e tij rreth rastit e dha i dëmtuari sipas prokurorisë, Alban Gashi, raporton Kallxo.

Sipas aktakuzës Sami Gashi nga Fshti Mramur I Prishtinës, në gusht të vitit 2007 për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e ka ndaluar të dëmtuarin Alban Gashin, i cili ishte me veturën e tipit “Ascona”.

Aktakuza thotë se fillimisht e ka sulmuar me grushte e pastaj me qëllim frikësimi dhe kërcënimi ia kishte drejtuar pushkën e gjuetisë të tipit “Over Runder” që e mbante me leje dhe e cila më pas i është konfiskuar nga Policia.

Me anë të këtyre veprimeve Sami Gashi akuzohet nga prokuroria të ketë kryer veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të pa autorizuar të armëve.

Gjatë dëshmisë së tij të hënën, Alban Gashi tha se të akuzuarit Sami Gashi nuk ia fal “asnjë send” përkundër viteve të cilat kanë kaluar qysh prej momentit kur kishte ndodhur ngjarja.

Ai tregoi se krejt kjo mosmarrëveshje mes tyre kishte ndodhur në një rast kur Alban Gashi kishte qenë me veturë duke kaluar nga lagja e të akuzuarit dhe pa dashje e kishte “stërpikur” tashmë të akuzuarin Sami Gashi.

Edhe pse tha se i kishte kërkuar falje, i akuzuari nuk e kishte falur por kishte filluar edhe ta shajë.

“Unë pata shkuar në mahallën e tyre me veturë dhe duke kaluar e kam stërpikur me kerr, i kam thënë me fal dhe ky me ka sharë menjëherë”, tha Alban Gashi.

Sipas dëshmitarit, inati si duket nuk i kishte kaluar edhe më tej të akuzuarit, ku pas këtij rast i akuzuari e kishte grushtuar dhe e kishte kërcënuar me thikë atë.

Por ai kishte ikur dhe nuk e kishte lajmëruar rastin në Polici.

Kurse rasti i fundit tha të ketë ndodhur në gusht të vitit 2007 ku rastësisht ishte takuar me tashmë të akuzuarin Sami Gashin i cili kishte filluar ta grushtonte dhe po ashtu ia kishte drejtuar edhe pushkën, e pastaj vetëm me intervenimin e fqinjëve kishte arritur të shpëtonte nga Samiu, të cilët e kishin ndalë atë.

“Më pastaj ka vdekur një kushëri në mëhallë dhe unë kam shkuar për t’i dërguar të afërmit në të pame dhe ky me ka dalë me llovaçkë (pushkë gjuetie) ma ka shti në kerr dhe këqyrke me më ra me thikë, por Zoti më ka shpëtu”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se prej asaj dite nuk është më i njëjti pasi që nuk është mirë, dhe si kompensim për këtë kërkoi 30 mijë euro.

“Prej asaj dite unë nuk jam mirë as vet, kam qejf me u dënu, parashtroj kërkesë pasurore-juridike në vlerë 30 mijë euro”, tha dëshmitari në fund.

I një mendimi si dëshmitari ishte edhe prokurorja e çështjes Besa Limani e cila deklaroi se pasi që prokuroria kishte përfunduar hetimet, ka ardhur në përfundim se ka prova të mjaftueshme me të cilat do të mund të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Sami Gashi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kurse vet i akuzuari nuk e pranoi veprën penale për të cilën akuzohet.

Ai tha se ata vetëm ishin fjalosur dhe se nuk e kishte pasur armën me vetë në atë rast, por që e ka pasur një armë në shtëpi të cilën e kishte me leje e që menjëherë pas rastit ia kishin konfiskuar policia.

“Armën nuk e kam pasur, fjalosë jemi. Si jemi fjalosur, ma kanë marrë policia menjëherë, armën me leje e kam pasur në shtëpi, unë nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Sami Gashi./Kallxo.com/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat