Therjet me thikë, shqetësim për të gjithë

Lajme

Therjet me thikë, shqetësim për të gjithë

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 22:11
Ilustrim

Kohëve të fundit, në Kosovë janë shpeshtuar rastet e therjeve me thikë ndërsa një 17 vjeçar e pësoi me jetë javën e kaluar nga një incident i tillë. Shkollat në Kosovë nuk janë imune ndaj këtij fenomeni. Drejtues të shkollave në Prishtinë shprehen për rritje të rasteve dhe bashkëpunim me policinë në parandalim të incidenteve mes të rinjve ndërsa ekspertë të sigurisë dhe sociologë shpjegojnë shkaqet dhe pasojat e këtyre incidenteve.

Nuk kalon ditë që raporti ditor i Policisë së Kosovës të mos ketë incidente të raportuara të therjeve me thikë.

Të shtunën e kaluar, një 17 vjeçar humbi jetën si pasojë e plagëve të marra pasi u ther me thikë në njërën nga rrugët e Prishtinës.

I dyshuari për këtë incident është një 18 vjeçar, shok i viktimës, i cili në gjykatë ka shprehur pendimin për aktin.

Edhe të mërkurën, në raportin ditor të policisë është raportuar për një therje me thikë në Obiliq.

Përdorimi i thikave e armëve të tjera të mprehta, kryesisht bëhet nga të rinjtë.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ishte në dy shkolla të Prishtinës për të biseduar me drejtuesit e tyre në lidhje me këtë fenomen i cili po vlerësohet shqetësues nga të gjithë të gjithë.

Drejtoresha e shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Sofie Bunjaku, tha se përdorimi i thikave në shkolla është problem tejet shqetësues si për të, po edhe për stafin shkollor dhe prindërit.

“Mund të themi se përdorimi i thikave në shkollat e tona është një problem shqetësues dhe fatkeqësisht mund të themi se ky është një problem aktual në shumë shkolla e po ashtu edhe në shkollën tonë”, tha Bunjaku.

Ajo tregoi se që nga ardhja e saj në shtator  si drejtoreshë e shkollës “Hasan Prishtina”, ka hasur në dy raste të tilla në këtë shkollë.

“Deri më tani kemi pasur dy raste që faktikisht nuk kemi pas problem me to por thikat janë zbuluar nga shokët e klasës dhe na kanë lajmëruar neve si drejtori”, tha ajo.

Sipas Bunjakut, trekëndëshi prind- nxënës- mësimdhënës dhe bashkëpunimi me organet e sigurisë funksionon shumë mirë, pasi siç thotë ajo organizohen takimet e rregullta të cilat ndihmojnë që të zgjidhen shumë probleme të cilat janë aktuale.

“Kemi bashkëpunim të mirë, faktikisht ne kemi polic civil në shkollë tonë dhe çfarëdo problemi që kemi bisedojmë bashkëpunojmë dhe mundohemi me zgjidh problemin”, tha Bunjaku.

Në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës, drejtori Fetah Zejnullahu duhet ta menaxhojë institucionin me nxënës të një moshe më të rritur.

Zejnullahu e pranon për Kallxo se mbajtja e armëve nga të rinjtë është problem i cili vetëm se po rritet, por thotë se në shkollën e tij nuk ka hasur ndonjë rast të tillë.

“Është një problem i shoqërisë sepse jo vetëm përdorimi i armëve por edhe te adoleshentët përdorimi i drogave të ndryshme, mbajtja e armëve të ndryshme është një dukuri shqetësuese”, tha Zejnullahu.

Ai tregon se deri më tani nuk ka pasur raste të raportuara se nxënësit e shkollës së tij janë duke mbajtur armë të mprehta.

“Shpeshherë jemi dëshmitarë që ndodhin edhe therjet e ndryshme në shkolla të ndryshme gjë që po na shqetëson të gjithëve”, tha ai.

Sipas tij, problemet e ndryshme bëjnë që një adoleshent të përdorë armë të çfarëdo lloji, ndërsa theksoi se çdo shkollë duhet të ketë një psikolog.

“Dita ditës jam duke u munduar që në gjimnazin “Sami Frashëri”, me e rritë bashkëpunimin me nxënës, mësimdhënës dhe stafin e shkollës. Kemi bashkëpunim me organet e rendit, kemi takime të rregullta sidomos për këto dukuritë siç janë përdorimi armës e drogës”, tha Zejnullahu.

Sipas ekspertit të sigurisë në Kosovë, Burim Ramadanit, çështja e përdorimit të armëve të ftohta është alarmante dhe, sipas tij, kjo tregon ‘për domosdoshmërinë e trajtimit të sigurisë publike me theks të posaçëm institucional’.

“Sikurse në veprimin kundër drogave në shkolla, institucionet duhet të rrisin përgjigjet ndaj këtyre dukurive. Madje, duhet të marrin shembull nga sukseset në parandalimin e drogave nëpër shkolla”, tha Ramadani për Kallxo.

Sipas Ramadanit, ka mënyra se si mund të parandalohet ky fenomen.

“Duhet rritur ndriçimi publik. Kryesisht rastet e plaçkitjeve dhe armëve të ftohta ndodh në hapësirat e pandriçuara, duhet rritur angazhimin e Policimit në Komunitet, ku Polici i lagjes është i njohur për banorët dhe është në kontakt të përditshëm me banorët e lagjes, duhet rritur ndëshkueshmërinë për rastet e këtilla”, shtoi ai.

Ramadani theksoi se ndëshkueshmëria ligjore për rastet e këtyre veprave veç e veç është parandaluesi më i mirë.

Sipas tij, përgjegjësia e sigurisë në institucione arsimore është e përbashkët.

“Duhet rritur bashkërendimin midis udhëheqjes së shkollave- këshillave të nxënësve- këshillave të prindërve. Siguria në shkolla dhe rreth shkollave është përgjegjësi e përbashkët”, tha ai.

Sociologu, Besim Gollopeni për Kallxo tha se sulmi me thikë ndaj personit tjetër është fenomen që ka përcjellë shoqëritë në përgjithësi gjatë gjithë zhvillimit të tyre.

“Sjellje të tilla delikuente dhe devijante në shoqëri më së shumti i hasim në vendet tranzicionale siç është edhe rasti me shoqërinë kosovare. Therja me thikë e qytetarëve dhe në veçanti e adoleshentëve dhe të rinjve kosovarë është bërë një ndër shqetësimet kryesore për prindërit, mësimdhënësit dhe qytetarët në përgjithësi. Sot, prindërit ndjehen të pasigurt në momentin që fëmija i tyre del jashtë shtëpisë me miq, në shkollë, edhe më të pasigurt ndjehen kur fëmija i tyre del në rrugë”, tha Gollopeni.

Sipas tij, jo vetëm therjet me thikë por edhe sjelljet tjera devijante janë shpeshtuar tej mase në shoqërinë kosovare.

Sipas Gollopenit, janë një sërë arsyesh që çojnë qytetarët deri te kryerja e veprës së therjes me thikë.

“Ndër shkaktarët kryesorë që çojnë deri te sjelljet e këtilla devijante në shoqërinë kosovare pa dyshim janë: “lejimi” i përdorimit të kësaj arme (thikë) të ftohtë dhe mungesa e monitorimit dhe kontrollit rutinor nga familjarët, institucioni shkollë dhe institucionet tjera përkatëse; mungesa e edukimit për informim të organeve përkatëse nga ana e bashkëmoshatarëve dhe qytetarëve të tjerëve në raste kur kuptohet për prezencën e thikës; grindjet për motive konkurrence të ndryshme dhe për motive të ulëta…”, tha ai.

Masat që duhen ndërmarrë, sipas sociologut, janë iniciativat për ngritje të nivelit të bashkëpunimit ndërmjet agjencive kryesore të shoqërisë.

“Agjencia media, në shoqëritë post moderne gjithnjë e më shumë po merr një rol kyç në edukimin dhe zhvillimin shoqëror. Gjithsesi, bashkëpunim të shtuar me organet kompetente të rendit dhe sigurisë (polici e lagjes dhe civile), shqiptim të dënimeve meritore, etj”, shtoi ai.

Ky bashkëpunim, sipas Besim Gollopenit, është i mundshëm përmes organizimit të punëtorive të përbashkëta, konferencave, seminareve, ligjëratave të veçanta, fushatave mediale, për vetëdijesimin e qytetarëve në raport me influencën e sjelljeve devijante tek individi dhe shoqëria.

Sipas zëdhënësit të policisë, Daut Hoxha, Policia e Kosovës, përveç detyrave të saj për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike, planifikon dhe zhvillon aktivitete dhe operacione policore rreth sigurisë ne shkolla dhe përreth tyre.

“Përveç ligjëratave dhe takimeve të drejtpërdrejta me nxënës, Policia e Kosovës ka shpërndarë edhe broshura me tema të ndryshme vetëdijesuese siç janë: parandalimi i dhunës në mes të bashkëmoshatarëve, filozofia e policimit në bashkësi, parandalimi i pasojave nga përdorimi i substancave narkotike, ngritja e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimi i keqpërdorimit të teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale të komunikimit si dhe edukimi mbi rreziqet (rrugë, natyrë etj)”, tha Hoxha për Kallxo.

Sipas tij, bashkëpunimi i policisë është i vazhdueshëm me menaxhmentin e shkollave dhe akterët tjerë.

Sipas disa statistikave të PK-së, në 297 shkolla të rajoneve të ndryshme të Kosovës, janë mbajtur rreth 625 ligjërata vetëdijësuese./Kallxo.com/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat