Kadare: Pacolli ka vënë në shërbim të Kosovës personalitetin e tij

Lajme

Kadare: Pacolli ka vënë në shërbim të Kosovës personalitetin e tij

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 16:02
Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, ka pritur në shtëpinë e tij në Paris, zëvendëskryeministrin e parë

Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, ka pritur në shtëpinë e tij në Paris, zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh shefin e diplomacisë Behgjet Pacolli.

Kadare e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme që kryediplomati kosovar, Pacolli ka zgjedhur pikërisht Francën, si njërin nga vendet e para për ta vizituar në kuadër të turneut të tij diplomatik dhe e ka cilësuar pozitivisht ardhjen e tij në krye të diplomacisë.

“Më vjen mirë, që e kam mysafir në shtëpi ministrin e jashtëm të Kosovës, z. Pacolli, që e kam takuar dhe në Kosovë. Më vjen mirë, që ai ka vënë në dispozicion emrin e vet, suksesin e vet, autoritetin e vet në shërbim të Kosovës”, ka thënë shkrimtari Kadare.

Ai ka thënë se ministri Pacolli po kontribuon për ta afruar Kosovën me Evropën, pasi që shqiptarët janë pjesë e Evropës.

Ndërsa, ministri Pacolli e ka falënderuar shkrimtarin Kadare për kontributin e tij të çmuar, në mënyrë të veçantë për Kosovën.

“Vizitën time zyrtare në Francë e kam filluar në shtëpinë e penës me të ndritur shqiptare, shkrimtarit të madh dhe të njohur e vlerësuar në gjithë botën, Ismail Kadare. E falënderova me gjithë zemër për kontributin e pa zëvendësuar, që ai dha, veçanërisht për Kosovën, duke filluar me demonstratat e viteve 80, Rambujenë, me artikujt e shumtë në shtypin francez”, ka thënë Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat