Vrasja në Pejë: Kjo është revolja që ka gjuajtur djali im Hamza në të...

Lajme

Vrasja në Pejë: Kjo është revolja që ka gjuajtur djali im Hamza në të...

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 07:22
Ilustrim

Gjykata e Pejës ka refuzuar kërkesën e avokatëve të të akuzuarve për hedhje të aktakuzës. Në këtë rast gjyqësor, babë e bir, Isuf e Hamza Abazaj, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për vrasje të rëndë, plagosje dhe ndihmë për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë.

Hamza Abazaj, i biri i Isufit, akuzohet për vrasjen e Ibrahim Nezirit dhe plagosjen e Bleart Nezirajt, përderisa babai i tij, Isufi, akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në seancën e shqyrtimit të dytë fillestar, avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve kërkuan hedhjen e aktakuzës. Muharrem Hoti, avokat i Hamza Abazajt, kërkesën për hedhjen e aktakuzës e kishte parashtruar me shkrim tek gjyqtari i rastit, Sali Berisha. Arsyetimi i tij ishte se ka prova për ekzistimin e rrethanave që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të pandehurit.

Ai u thirr në ekspertizën psikiatrike të bërë ndaj të mbrojturi të tij, ku tha së konstatohet se ka pasur dhe ende ka probleme psikike. Arsyetimi i avokatit Hoti ishte se i mbrojturi i tij kishte pasur 70 herë vizita mjekësore në shtetin suedez nga viti 2014 deri vitin 2017.

Në arsyetimin e kërkesës për hedhjen e aktakuzës, avokati Hoti tha së në ekspertizë konstatohet se i pandehuri Hamza Abazaj veprën penale e ka kryer në gjendje të afektit dhe nuk ka gjykuar drejtë për rëndësinë e veprës se kryer, duke mos mundur t’i kontrollojë veprimet e tij.

Kurse, avokati i Isuf Abazajt, Gëzim Kollçaku, përveç kërkesës për hedhjen e aktakuzës ka bërë edhe kundërshtimin e provave. Kollçaku tha se Prokuroria nuk është bazuar në asnjë provë se i mbrojturi i tij ka fshehur provat e kryerjes se veprës penale.

Sipas avokatit, raporti i policit hetues dëshmon se Isuf Abazaj nuk e ka kryer veprën penale për çka akuzohet nga Prokuroria.

Avokati lexoi edhe tre rreshta të raportit policor për të cilat tha se dëshmojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij dhe të kundërtën e pretendimeve të Prokurorisë.

“Si keni filluar me biseduar rreth incidentit, ai e ka nxjerr nga xhepi një revole me ngjyrë të zezë dhe na ka thënë: Kjo është revolja që ka gjuajtur djali im Hamza në të, se ai ma ka dhënë mua pasi që ka ndodhë incidenti”, lexoi avokati Kollçaku tre rreshtat e raportit policor.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, tha së kërkesat e avokatëve mbrojtës për hedhjen e aktakuzës janë të pabazuara.

Pretendimet e avokatit Muharrem Hoti, prokurorja i quajti keqinterpretim të ekspertizës psikiatrike të bërë ndaj të akuzuarit Hamza Abazaj.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të avokatit Gëzim Kollçaku që mbron të akuzuarin Isuf Abazaj, prokurorja Gashi tha se aktakuza është e bazuar mbi të gjitha provat. Ajo tha së i akuzuari Isuf Abazaj e ka marrë armën e Hamza Abazajt dhe për orë të tërë ka qenë i pakapshëm nga organet e ndjekjes.

Më pas, gjyqtari i rastit, Sali Berisha, mori aktvendim për refuzimin e kërkesave të mbrojtës për hedhjen e aktakuzës. Kurse avokatët e të akuzuarve paralajmëruan se do ushtrojnë ankesë ndaj këtij aktvendimi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, Hamza Abazaj u deklarua i pafajshëm në lidhje me vrasjen, teksa pranoi fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve, ndërsa Isuf Abazaj u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës me të cilat po ngarkohet.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Hamza Abazaj akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, përderisa Isuf Abazaj akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje. Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hamza Abazaj, më 24 shkurt 2017, rreth orës 12:00 në Pejë, me dashje privoi nga jeta të ndjerin I.N. dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit B.N. Aktakuza përshkruan se pas një mosmarrëveshjeje në mes të të lartcekurve, i pandehuri ka nxjerrë një revole nga çanta e tij me të cilën ka shtënë në drejtim të të ndjerit dhe të dëmtuarit.

I pandehuri tjetër, Isuf Abazaj, akuzohet se në vendin dhe kohën e përshkruar më lart, me dashje ka fshehur provat me të cilat është kryer vepra penale, ndërsa ngarkohet edhe për pjesëmarrje në rrahjen që përfundoi me vrasje dhe plagosje.

Seanca e shqyrtimit fillestar disa herë ishte shtyrë për shkak se i akuzuari, Hamza Abazaj kërkonte përkthyes të gjuhës suedeze me arsyetimin se nuk e njeh mirë shqipen juridike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat