Nuk e pranon fajësinë për sulm e kanosje ndaj ish të dashurës

Lajme

Nuk e pranon fajësinë për sulm e kanosje ndaj ish të dashurës

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 09:21
Ilustrim

Pas leximit të aktakuzës, i pandehuri N.I. nuk e pranoi asnjërën nga akuzat – kanosje dhe sulm, dhe u deklarua i pafajshëm

Prokuroria Themelore e Ferizajt e ngarkon të pandehurin N.I. me dy vepra penale – atë të kanosjes dhe sulmit ndaj ish të dashurës. Veprat pretendohet se i kreu në vitin 2015.

Para Gjykatës së Ferizajt, i pandehuri tha se veprat që i vihen në barrë nuk kanë të bëjnë fare me ish të dashurën e tij.

Ai tha se natyra e punës së tij që e mbante atë tërë kohën në terren dhe udhëtimet e shpeshta në Europë  ia kishin pamundësuar daljen me të dashurën e që për rrjedhojë e njëjta kishte filluar të dalë me një person tjetër.

Këta të fundit i pandehuri dekaroi se i kishte parë rastësisht në qytet ku siç e quante “frajerin” e ri të saj e kishte sulmuar me grushte, duke u shfryrë në të, ndërkaq ish të dashurën deklaroi që nuk e ka prekur por nga frika që edhe asaj do t’i ndodhë ndonjë gjë e njëjta e ka paraqitur rastin në Prokurori.

I pandehuri deklaroi se me të dëmtuarën ishte në lidhje për 9 vite, ndërsa që nga dita kritike më nuk kishte dëgjuar për të, duke filluar një jetë të re bashkëshortore.

Në këtë seancë nuk ishte e pranishme pala e dëmtuar, ndërkaq seanca u shty për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri N.I. në vitin 2015 në orët e vona të mbrëmjes pas një mosmarrëveshjeje me të dëmtuarën –  ish të dashurën e tij e kishte sulmuar me grushte në fytyrë pa pëlqimin e saj kështu duke kryer veprën penale – sulm.

Po ashtu, i njëjti akuzohet se gjatë muajit dhjetor të vitit 2015 ka kanosur seriozisht të dëmtuarën me fjalë të rënda fyese dhe kërcënuese me ç’rast sipas aktakuzës kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim dhe frikë tek e dëmtuara, duke kryer kështu  edhe veprën tjetër penale – kanosje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat