Komesari i lartë për pakica, Lamberto Zannier, vizitoi Bujanocin

Lajme

Komesari i lartë për pakica, Lamberto Zannier, vizitoi Bujanocin

Nga: Sevdail Hyseni Më: 5 tetor 2017 Në ora: 08:50
Lamberto Zannier, vizitoi Bujanocin

Gjatë javës së parë të tetorit, të këtij viti, zyrtari i lartë për pakica pranë OSBE-së, Lamberto Zannier, qëndroi për një vizitë pune, në Komunën e Bujanocit, për të parë nga afër se me çfarë problemesh përballen shqiptarët e këtij rajoni, duke filluar nga ato arsimore, integrimi në organet shtetërore e probleme të tjera, që kanë të bëjnë me pakicat kombëtare.

Lidhur me rëndësinë e kësaj vizite, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, u shpreh “Është vizita e parë e komesionerit të ri për pakica Zannier, i cili ka ardhur në Bujanoc për të promovuar projektin e komesariatit, atë të fjalorit “shqip-serbisht dhe serbisht-shqip”.

“Që në fillim komisarin e lartë e kemi njoftuar për pozitën e shqiptarëve dhe mos integrimin tonë nëpër institucione shtetërore, si një çështje që ka lidhje të drejtpërdrejt me kompetencat e komesariatit për pakica nga ku kanë dal edhe dy dokumentet, të cilat kanë dal nga ky institucion europian me sugjerime të rëndësishme, që i jepen  pakicave nëpër institucionet shtetërore” – theksoi kryetari i komunës zoti Kamberi.

Komesari i lartë për pakica Zannier, vizitën e tij e vazhdoi në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, duke u bërë pjesë e promovimit të fjalorit shqip-serbisht: serbisht-shqip, dedikuar nxënësve të shkollave fillore, projekt ky i financuar nga Komisariati i lartë për pakica pranë OSBE-së.

Gjatë promovimit të fjalorit shqip-serbisht dhe anasjelltas, morën pjesë përveç personelit të shkollës dhe nxënësve edhe komisari i lartë për pakica, Lamberto Zannier,  zv.shef i misionit të OSBE-së në Serbi, Joseph Mellot, kryetari Shaip Kamberi dhe përfaqësuesit e Trupit Koordinues.

“Është shumë e rëndësishme për mua të prezantoj rezultatet e një projekti, që është duke u zhvilluar për një kohë shumë të gjatë, projekt për të cilin shumëkush nga ju ka dhënë kontribut të drejtpërdrejt, në krijimin e këtij fjalori ndër të parët të këtij lloji shqip-serbisht: serbisht-shqip, ashtu që fëmijëve t’ua mundësoni mësimin më të lehtë të gjuhës serbe dhe anasjelltas” –  u shpreh me kënaqësi zyrtari i lartë për pakica, dikur  shefi i UNMIK-ut, për Kosovë, Lamberto Zannier.

Një projekt të tillë e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke e vlerësuar si të qëlluar për moshën e nxënësve, i dizajnuar në atë mënyrë, që më lehtë të mësohet gjuha për nevojat e tyre, duke iu drejtuar nxënësve me shprehjen: “Sa gjuhë din, aq edhe vlen!”.

Vizita e radhës për zyrtarët e lartë të OSBE-së, ishte Fakulteti Ekonomik i Suboticës-paralelja në Bujanoc, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2017/2018. Në këtë eveniment të lartë arsimor, morën pjesë komisari i lartë për pakica pranë OSBE-së, Lamberto Zannier, zv/shefi i misionit të OSBE-së në Serbi, Joseph Mellot, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, përfaqësues të EU Progresit europian, zyrtarë të lartë të Trupit Koordinues, dekanë të Fakulteteve ekonomik të Suboticës dhe Tetovës, si dhe përfaqësues të tjerë nga jeta mediale.

Në fjalimin e tij, kryetari i komunës, Shaip Kamberi, uroi studentët e rinj për fillimin e vitit të ri akademik, duke ua kujtuar se: “Arsimi është një lëvizje nga errësira, në dritë, s’ka dritë më të madhe për njeriun kur është i arsimuar.  Në periudhën të cilën jemi drejt integrimit në Bashkimin Europian, kompetente do të jetë vetëm dija, e asgjë më shumë” – theksoi Kamberi.

Kjo vizitë e zyrtarëve të lartë të OSBE-së, në Bujanoc, nga të dy palët, u vlerësua i suksesshëm dhe mbase i nevojshëm, me shpresë se takimet e tilla në të ardhmen të jenë më të shpeshta, për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit në Luginë të Preshevës dhe më gjerë në rajon.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat