Fotografia që tregon aktivitetin e Dardan Gashit si sekser

Lajme

Fotografia që tregon aktivitetin e Dardan Gashit si sekser

Më: 11 shtator 2017 Në ora: 15:43
Dardan Gashi

Ndërmjetësimi për t’ia siguruar votat koalicionit PAN dhe “rënia në prehrin” e Adem Grabovcit, Dardan Gashit i është shpërblyer me post zëvendëskryeministri dhe ministri në Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Ani se nuk ishte kandidat në zgjedhje dhe nuk ka një subjekt politik, Gashi ka marrë hise të madhe në Qeverinë Haradinaj. Ai, ka qenë njeriu kyç që ka ndërmjetësuar që vota e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova të shkojë për koalicionin PAN.

Javë më parë Insajderi kishte raportuar se si katër burra kishin vendosur për votën e Teuta Rugovës, motrës së Ukës i akuzuar për krim të organizuar, kontrabandim me migrant dhe vepra tjera penale.

Rugova, Daut Haradinajt, Grabovci dhe Dardan Gashin kishin ndikuar që ajo të rreshtohej në koalicionin rreth PDK-së.

Rol të madh kishte luajtur edhe Astrit Haraqija, një i akuzuar së bashku me Ukë Rugovën për skandalin e shitjes së vizave italiane.

Grabovci nuk është përfshirë publikisht në këtë çështje për shkak të hetimeve që po zhvillohen kundër tij pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi, por në prapaskenë ai ka luajtur rol kyç që Teuta Rugova të rreshtohej në anën e PAN-it.

Para se Teuta Rugova të vendosej në krah të PAN-it, vëllai i saj, Uka kishte pasur një rrugëtim politik drejt PDK-së. Kishte hyrë si deputet në Kuvend me listën e AAK-së, por pas zgjedhjeve kishte kaluar në grupin parlamentar të PDK-së. Ai kishte marrëveshje koalicioni me të ashtuquajturën “Lista dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës ishte Dardan Gashi, Bujar Bukoshi e Astrit Haraqija.

Lista Rugova ndërkohë është shuar në vitin 2013, mirëpo koalicioni PAK ka nënshkruar marrëveshje për ndarje postesh me Gashin dhe Rugovën si përfaqësues të kësaj liste tashmë të shuar. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat