Mafia shqiptare kërcënim për Europën, godet edhe Greqinë

Lajme

Mafia shqiptare kërcënim për Europën, godet edhe Greqinë

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 11:06
Mafia shqiptare

Një raport konfidencial i policisë greke vë në dukje se përfshirja në akte kriminale e shtetasve shqiptarë në Greqi, është më e larta në raport me kombësitë e tjera që jetojnë në vend”.

Pjesë nga ky raport, që është hartuar më 25 korrik 2017, boton ditën e diel gazeta greke “Kathimerini”, nën titullin “Mafia shqiptare në Greqi”.

Sipas raportit që citon e përditshmja greke, “Krimi i organizuar shqiptar është dëshmuar dekadën e fundit si një nga kërcënimet kryesore për vendet anëtare të BE. Greqia, si pasojë e fqinjësisë me Shqipërinë, goditet drejtëpërdrejtë nga veprimtaria e organizatave kriminale shqiptare”.

Në kryse të listës së kësaj veprimtarie kriminale ndodhet trafikimi i kanabisit nga Shqipëria në Greqi dhe që andej në vendet e tjera të Europës. Autorët e raportit citojnë Europolin, sipas të cilit “Kanabisi mbetet droga më e preferuar në BE dhe Shqipëria mbetet burimi kryesor i furnizimit me llojin Kanabis Sativa që trafikohet në Europë”.

Raporti vë në dukje se në gjashtëmujorin e parë të 29017-s, shërbimet greke të ndjekjes kundër drogës sekuestruan 6,8 tonë kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Ndërsa në 2016, sasia e drogës e ardhur nga vendi fqinj që u sekuestrua, ishte 8,4 tonë.

Çështja e trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi, u shtrua në takimin që ministri i rendit, Nikos Toskas, pati ditët e fundit me ambasadorën e Shqipërisë në Athinë, Ardiana Hobdari, por edhe më herët, nga drejtori i përgjithshëm i Policisë greke, në takimin me homologun e tij shqiptar, Haki Çako, në nëntor 2016, në Tiranë.

Sa u përket fushave të tjera të kriminalitetit, raporti vë në dukje se ka pjesëmarrje të konsiderueshme të shtetasve shqiptarë në vjedhjen e makinave që më pas dërgohen në Shqipëri dhe Kosovë, në trafikimin e femrave nga Shqipëria në Greqi, si dhe në grabitjet me armë.

“Anëtarët e këtyre organizatave kriminale janë në shumicën dërrmuese me mjaft përvojë, ndërsa një veçori karakteristike të tyre përbën përdorimi i dhunës dhe i armëve të zjarrit”, nënvizohet në raportin e policisë greke.

Raporti përmban edhe shifta. Kështu, në harkun kohor 2010-2015, janë identifikuar si autorë vjedhjesh, 13.571 shtetas shqiptarë; 3.158 si autorë të vedhjes së automjeteve dhe 3.298 si autorë grabitjesh. 4.347 janë identifikuar të përfshirë në trafiqe droge, dhe 478 si autorë vrasjesh.

Gjithsesi, ashtu siç është vënë në dukje vazhdimisht, elementët kriminalë shqiptarë do ta kishin të vështirë të vepronin në shkallë kaq të madhe, nëse nuk do të kishin edhe bashkëpunimin e krimit vendas.

Këtë e vë në dukje edhe policia greke:

“Bashkëpunimi midis shtetasve grekë dhe atyre shqiptarë është forcuar, fakt që dëshmon integrimin e tyre në botën e krimit në Greqi”, nënvizon raporti konfidencial i Policisë greke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat