Mërgimtarë nga Evropa ia kanë mësy Kosovës

Lajme

Mërgimtarë nga Evropa ia kanë mësy Kosovës

Më: 9 korrik 2017 Në ora: 17:53
Ilustrim

Mërgimtarë nga vende të ndryshme të Evropës po vijnë me shumë qejf në Kosovë, ndërsa kanë dalë jashtë që të çlodhen dhe të bëjnë sigurimin e veturave të tyre.

Përkundër faktit se Ministria e Diasporës, javë më parë, për shkak të punimeve në terminalin e ri, por edhe për shkak të përqendrimit që ndodh në Merdare gjatë ardhjes së mërgimtarëve, ka rekomanduar që aq sa ka mundësi, të shmanget si pikë dhe të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare, bashkatdhetarët, janë shprehur se nuk kanë hasur në kolona të mëdha.

Sami Halili nga Gjermania, u shpreh se në pikën kufitare në Merdarë, nuk kanë hasur në kolonë fare.

Halili: Këtu kemi kaluar shumë mirë

 “Këtu kemi kaluar shumë mirë. Nuk kishte pasur kolonë fare, as 10 minuta nuk na ka rënë të presim”, u shpreh ai.

Për pritjet e gjata, Osman Guri, i cili kishte ardhur nga Gjermania, tha se po i hasin në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, përkatësisht në Suboticë.

Guri: Kemi pritur rreth katër orë në kufirin e Serbisë

 “Vetëm pak në Serbi duke hyrë kemi pritur rreth 4 orë”, tha ai.

Mërgimtari Valdrin Aliu, sa i përket pengesave që mërgimtarët hasin gjatë rrugës për në Kosovë, tha se problem mbeten pritjet e gjata si shkak i kolonave si dhe udhëtimi në mot të nxehtë.

Aliu: Problem mbeten kolonat dhe temperaturat e larta

 “Kolonat e gjata... dhe temperaturat e larta më së shumti”, u shpreh ai.

Një problem tjetër për mërgimtarët e shtroi Isa Berisha, i cili kishte ardhur për t’i kaluar pushimet në Kosovë nga Hamburgu i Gjermanisë.

Ai tha se po manipulohet me këmbimin valutor në shtetet që nuk e kanë euron monedhë të tyren.

Berisha: Kemi problem në shtetet që nuk e kanë euron si valutë shtetërore

 “Nëpër rrugë zakonisht kur ndalemi nëpër shtetet që nuk e kanë euron e kemi problem të marrim naftë se përndryshe sikur në Hungari dhe në Çeki, ata kur po e llogarisin atë euron me valutën e tyre, ata gjithmonë po mundohen me një fjalë me na e lëshuar, por edhe ne po mundohemi pak më ndryshe që me ua kthyer siç po na bëjnë ata neve”, u shpreh ai.

Ndërkaq, për mërgimtarin Bashkim Mullaku nga Podujeva, sigurimi i veturave, mbetet problem kryesor i mërgimtarëve në Merdare, përderisa shprehet se kanë vërejtur përmirësime në pikën kufitare në Kosovë.

Ai tha  se çështja e sigurimit të veturave nuk ka të bëjë me pagesën që duhet të bëjnë ata, por siç tha ai, kartoni i gjelbër duhet të njihet edhe në Kosovë sikur në gjithë vendet e tjera evropiane.

Për Sabit Cakiqin, pensioner nga Gjermania, i cili jeton atje tash e 45 vite, rruga e gjatë prej 36 orëve, nuk duket të jetë problem për të.  

Ndërsa shtoi se gjatë rrugës në Serbi ndonjëherë hasin në ndonjë vështirësi por që siç tha ai, me nga një kafe tejkalohen ato.

Cakiqi: Cilindo që e takon duhet t’i japësh diçka

 “Mirë. Kah pak po na ngucin veç nga një kafe. Cilindo që e takon duhet t’i japësh diçka”, tha ai përderisa shtoi se në Kosovë kalon shumë mirë.

Nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Kosovë deri pak pas orës 14, janë pika kufitare në Merdarë, Vërmicë, Han të Elezit dhe Dheu i Bardhë që kanë regjistruar numër më të madh të mërgimtarëve që kanë hyrë të dielën në Kosovë.

Vetëm në Merdarë sipas QKMK-së ka pasur kolona prej 150 deri në 180 metër. Ndërkaq, në Vërmicë sipas këtij raporti, janë evidentuar kolona prej 100 deri në 150 metër në pesë korsi.

Janë pikat kufitare si në Qafë të Morinës, Mutivodë, Bërnjak e Muçibabë që kanë fluks më të vogël të mërgimtarëve që sot ia kanë mësy Kosovës.

Ndryshe, Ministria e Diasporës njofton se meqë tash është koha e pushimeve, kur bashkatdhetarët vijnë në atdhe, u rekomandon që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare të menaxhimit kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes.

“Duke konsultuar këtë faqe, bashkatdhetarët do të kenë mundësi të kalojnë aty ku e kanë më lehtë dhe ku  nuk krijohet kolonë e gjatë pritjeje. Për çfarëdo problemi ose halli që mund t’u paraqitet gjatë rrugës, bashkatdhetarët menjëherë duhet të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe Zyrën e Kosovës në Beograd”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri.

Sipas statistikave, të dielën nuk ka pasur pritje më shumë se 10 minuta dhe gjendja në pikat kufitare duket të jetë e qetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat