Tuzi: Si me vra veten si me marrë pare me fajde

Lajme

Tuzi: Si me vra veten si me marrë pare me fajde

Më: 13 maj 2017 Në ora: 19:13
Ilustrim

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” Azem Tuzi tha se nuk ishte marrë parasysh nga një gjyqtar kur kishte thënë se paratë i ka marrë më fajde.

Emisioni i së premtes “Drejtësia në Kosovë” transmetoi të gjeturat e një hulumtim për kërcënimet që u bëhen dëshmitarëve të fajdeve në Prizren.

Në pjesën e dytë në emision u fol për faktin se dëshmia e Azem Tuzit në Gjykatën e Istogut për fajden ishte injoruar plotësisht.

Kjo është një dëshmi tjetër se sistemi gjyqësor nuk është duke i trajtuar fajdet me seriozitet.

Rrëfimi i një dëshmitari para gjykatësit Daut Demiraj për fajden është injoruar totalisht.

Azem Tuzi kishte rrëfyer para gjykatësit se borxhi për të cilin po gjykohej ishte për fajde, por asnjë veprim nuk ishte ndërmarrë nga gjyqtari Daut Demiraj, para të cilit Tuzi foli për marrjen e parave me fajde.

“Eshtë edhe në procesverbal që disa herë e kam cekë se ky nuk është borxh, po është pare me fajde, ndërsa gjyqtari Daut Demiraj nuk nijke për atë punë”, tha Tuzi.

Sipas ligjit, në rastet kur gjykatësit hasin në kryerjen e një vepre penale e që në këtë rast është vepra penale e kontraktimit joproporcional, duhet ta njoftojnë prokurorinë e shtetit.

Por çuditërisht gjyqtari në Gjykatën e Istogut Daut Demiraj nuk e kishte zbatuar këtë obligim ligjor.

“Duhet mu faktua gjatë seancës, unë ti, aj tjetri, po, ja ka marr qikaq me fajde janë qikaq ato, nuk janë vërtetu me asnjë provë gjatë gjykimit, edhe pse është përmendur dispozita që të thotë qekjo nuk provohet edhe fund”, shprehet Demiraj.

Pasi gjykata nuk e kishte kryer punën, Azem Tuzi para se të shkojë në seancat civile e kishte njoftuar vetë Prokurorinë e Pejës.

Atje ai kishte ushtruar kallëzim penal ndaj personit që i mori paratë. Por në atë kohë ishte tepër vonë.  Lënda veç ishte vjetërsuar dhe prokurori nuk mund të kryente ndjekje.

Kryeprokurori i  Pejës Agim Kurmehaj, ka konfirmuar se i tërë procesi ka dështuar për shkak të shkeljes së afateve.

“Ju informoj se personi Azem Tuzi në Prokurorinë Themelore në Pejë, më 08.03.2010 ka parashtruar kallëzim penal kundër të dyshuarit F.K., për vepër penale: kontraktimi i përfitimit joproporcional, nga neni 270 i KPK-së. Pas analizimit të shkresave të lëndës kjo prokurori ka gjetur se bëhet fjalë për parashkrim të ndjekës penale, ashtu që më 12.03.2010 është marrë aktvendimi për hedhjen e kallëzimit penal”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë së Pejës.

Familja Tuzi tash pret përmbarimin e dhunshëm të ekzekutimit të borxhit pas vendimit të Gjykatës së Apelit, mirëpo Azem Tuzi po thotë  së fajdeja iu legjitimua nga dy shkallët e gjykatave në Kosovë dhe se ai nuk e ka ndërmend ta paguajë këtë borxh.

Deklaratat e Azem Tuzit mund t’i ndiqni në vazhdim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat