‘Mbrojtja Civile’ edhe më tej aktive në veri

Lajme

‘Mbrojtja Civile’ edhe më tej aktive në veri

Më: 25 prill 2017 Në ora: 09:11
Ilustrim

“Mbrojtja Civile”, një organizatë e sigurisë në veri të Mitrovicës, për të cilën krerët e institucioneve të shtetit pohojnë se është shpërbërë në tërësi pasi që 50 pjesëtarët e “fundit” të saj janë integruar në institucionet kosovare në fundjavë, edhe më tutje është aktive. “Mbrojta Civile” është plotësuar me njerëz të rinj.

E ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”, një organizatë ilegale e sigurisë në veri të Kosovës, vazhdon të jetë edhe më tutje aktive me të gjitha kapacitet njerëzore që i kishte para Marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e saj.

Në Mitrovicë thonë se “Mbrojtja Civile” plotësohet me njerëz të rinj sa herë që pjesëtarët e saj integrohen në institucionet e ndryshme të Kosovës. Halit Barani, kryetar i Qendrës Rajonale të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë, ka thënë se nuk është shpërbërë as e ashtuquajtur “Rojat e Urës”, e cila dukshëm funksionon në gjithë pjesën veriore të Mitrovicës.

“Tani ata i vendosin disa djem të ri tek ura, e këta i lajmërojnë ‘Rojat e Urës’. Të cilët pastaj u dalin në prit shqiptarëve dhe i keqtrajtojnë pamëshirshëm. Vetëm gjatë këtij muaji 14 shqiptarë, kryesisht të rinj, të cilët kanë kaluar në pjesën veriore, janë rrahur nga ata. Edhe ‘Mbrojtja Civile’ nuk është shuar, siç po thonë këta në Prishtinë, ajo është funksionale dhe funksionon me kapacitet të plotë njerëzor, siç ishte edhe para marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Pjesëtarët e saj të gjithë janë njerëz të MUP-it të Serbisë, por nën petkun e ‘MC’-së,  Pra ‘Mbrojtja Civile’ nuk është shuar dhe nuk do të shuhet asnjëherë, pasi pjesëtarët e saj të integruar tashmë në institucionet e Kosovës paguhen nga Qeveria e Kosovës, ndërsa punojnë për Serbinë dhe për interesat e saj”, ka thënë Barani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat