Gjetaj: Serbia të na tregojë se ku i kemi të zhdukurit

Lajme

Gjetaj: Serbia të na tregojë se ku i kemi të zhdukurit

Më: 15 mars 2017 Në ora: 14:03
Prenk Gjetaj

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka kërkuar edhe njëherë që çështja e të zhdukurve të mos politizohet.

Kryetari i këtij Komisioni, Prenk Gjetaj, në një konferencë për media sot tha se çështja e personave të zhdukur nuk duhet mbetur peng i politikës.

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet të mbetët peng i çështjeve politike sepse kemi çështje tjera të cilat mund të evoluojnë sipas nevojave politike, por çështja e personave të zhdukur s’bën të politizohet”, tha Gjetaj. 

Sipas tij në Serbi ka dokumentacione e arkiva që mund të hapin rrugën drejt gjetjes së lokacionit të të zhdukurve. 

“Për çështjen e të zhdukurve ne duhet të bisedojmë vetëm me Serbinë, s’kemi me kë tjetër të bisedojmë sepse ata kanë bërë krime gjatë kohës së luftës. E dyshimet janë që ata kanë arkiva, kanë dokumentacion, kanë dosje, janë njerëzit të cilët kanë informacione dhe dinë se ku është vendndodhja e gjithë atyre të cilët na mungojnë”, tha ai. 

Gjetaj gjithashtu ka përmendur edhe rastin e dyshimeve për varrezë masive të Xhamia e Ibrit, për të cilën është diskutuar qe 17 vite, mirëpo veç tash vonë u hulumtua ky rast dhe nuk është gjetur asgjë.

“Nganjëherë kemi informata që po na krijojnë huti, sikur që ishte rasti te Xhamia e Ibrit. Prej pasluftës është folur dhe është neglizhuar kjo punë. Dikush ka pasë faj aty sepse është krijuar mundësia e spekulimit. Informata  kanë qenë që është vend i dyshuar, i supozuar si varrezë masive dhe kjo të mbetet 17 vite pa u procedu, pa u gërmu e me kriju mundësi spekulimi nuk është dashtë”, tha Gjetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat