Gazetari Zyhdi Belegu kujtohet me pietet nga kolegët e tij

Lajme

Gazetari Zyhdi Belegu kujtohet me pietet nga kolegët e tij

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 17:58
Zyhdi Belegu

Sot, në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari shumëvjeçar Zyhdi Belegu.

Zyhdi Belegu ishte shembull i një gazetari profesionist, të shpejtë, të saktë dhe të paanshëm. Si të tillë e kujtojnë edhe kolegët e tij nga komunat e Rajonit të Pejës, pranë të cilëve kaloi pjesën më të madhe të karrierës si korrespondent i  Radio Prishtinës e më pas i Radio Kosovës.

Zyhdi Belegu, karrierën si gazetar e filloi në Radio Prishtina, ku nga programi i rinisë, me punën dhe përkushtimin e tij hap pas hapi arriti në pozitën e redaktorit përgjegjës të ditarit qendror  informativ. Kështu e kujton kolegu Feim Kurhasani, aktualisht redaktor ne Radio Dukagjini:

“Si gazetar ka pas mundësinë e parë për të qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve politike të cilat e kanë përcjell Kosovën nga viti 1974 deri në korrik të vitit 1990. Kjo është ajo periudha e parë e punës profesionale të kolegut tonë Zyhdi Belegu“,kujton Kurhasani.

Për Xhavit Husajn, aktualisht drejtor i Radio Pejës, i cili bashkëpunoi me gazetarin Zyhdi Belegu për 40 vite, vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë shqipe: 

 “Gazetaria kosovare me vdekjen e Zyhdi Belegut ka humb një ndër punëtorët më të vyeshëm dhe me këtë rast çdo fjalë është e tepërt veç lutjes që të pushoj I qetë në botën e amshueshme dhe të jetoj kujtimi dhe respekti për të, si njeri dhe si koleg”, thotë Husaj.

 Zeqir Mehmetaj, drejtor  i Rado Fontanës, në Istog, thotë se nga profesionalizmi i gazetarit Zyhdi Belegu kanë përfituar  të gjithë:

 “Unë pata fatin të përfitoj shumë nga përvoja e tij në fushën e gazetarisë për çka përjetë do t’i mbetem mirënjohës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolegun tonë të ndjerë, i  cili në moshë relativisht të re u shkëput nga misionit i tij fisnik të cilin e ushtroi me përpikmëri, me gatishmëri, paanshmëri dhe seriozitet në shërbim të informimit të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thotë Mehmetaj.

 Aver Husaj, gazetar shumëvjeçar kujton gazetarin Zyhdi Belegu si koleg dhe si burim i  tij: “Me Zyden kam pas rast ta njoh në dy “taborë”:   si shok, si kolegë dhe si mësues të gazetarisë dhe si burim informacioni përballë tij në emisione të ndryshme”, tha Husaj.

 Krenare Vokshi, redaktore në Televizionin e Dukagjinit, thotë se Zyhdi Belegu ishte shembull I mirë për të gjithë gazetarët e rinj:

 “Me humbjen e gazetarit shumëvjeçar Zyhdi Belegut, i cili ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Pejës, ka humbur një gazetar-shembull në gazetarinë e mirëfilltë dhe për gazetaret e rinj, ndër të cilët jam edhe unë. Ndaj, të gjithë ne kemi qenë me fat që sadopak kemi pas mundësinë të mësojmë nga përvoja e tij shumëvjeçare”, tha Vokshi, përderisa Halil Gashi, në emër të Shoqatës së gazetarëve të Pejës sjell ngushëllimet për familjarë, kolegë e miq:  

 “Zydë…Këto fjalë lamutmirëse nuk janë të lehta për ne që do  të të kujtojmë gjithmonë si një koleg shembullor dhe gazetar profesionist. Familjes Belegu ngushëllimet më të thella në emër të Shoqatës së Gazetarëve të Pejës dhe të gjithë kolegëve të cilët sot morën me pikëllim lajmin për vdekjen e tij!”, tha Gashi.

 Me një telegram familjen Belegu ngushëlloi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku thuhet se “Zyhdi Belegu do të kujtohet si një profesionist i përkushtuar në punën e sinqertë në funksion të informimit të drejtë të qytetarëve”.

 Varrimi i gazetarit shumëvjeçar Zyhdi Belegu, i cili vdiq sot në moshën 65 vjeçare, u bë sot, në ora 15-të, në varrezat e Kapeshnicës, në Pejë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat