Festat e nëntorit në Luginë të Preshevës

Lajme

Festat e nëntorit në Luginë të Preshevës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 23:55
Agjenda

Në qytetin e Bujanocit, ka disa ditë, që ka filluar “Java e nëntorit”, eveniment, ky, kulturor kushtuar festave të nëntorit, me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 104 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Nën patronatin e Komunës së Bujanocit, Këshillit Nacional dhe Pallatit të Kulturës, kanë filluar manifestimet me karakter kulturor, duke përfshirë sipas agjendës: përurime librash, ekspozita, shfaqje për fëmijë dhe të rritur nga teatri profesionist i Gjirokastrës dhe program festiv me valle e këngë të ndryshme shqiptare.

Bujanoci dhe Presheva, veçse kanë filluar të vishen kuq e zi, ngjyra këto që kanë shijen e atmosferës së ngrohtë të festave të nëntorit, pavarësisht pengesave ligjore, që vijnë nga Beogradi, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare.

Simboli historik

Dita e Flamurit Kombëtar, simboli historik i shqiptarëve, nuk shënohet, njësoj, në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të fundit në viset etnike, që nuk e kanë të rregulluar me ligj përdorimin e simboleve kombëtare.

Derisa shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë, me kënaqësi e presin 28 nëntorin, ditën më të dashur të popullit shqiptar, për ta shënuar e kremtuar me dinjitet, ata të Luginës së Preshevës, festojnë e protestojnë njëkohësisht, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare në mënyrë institucionale.

Pavarësisht nga këto probleme të natyrës politike, shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjejnë mënyrën, në stilin e vet, për ta shënuar 104 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kur në Vlorën heroike, më 28 nëntor 1912, u ngrit Flamuri Kombëtar.

Po mbushen 104 vjet e populli shqiptar, vazhdon të jetë i ndarë në dy shtete e disa krahina dhe i shpërndarë në shumë vende të botës.

Aspirata kombëtare

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa dëshirën e tyre vazhdojnë të jetojnë të ndarë me kufij shtetërorë, ndonëse asnjëherë nuk e kanë humbur durimin në luftën shekullore për realizimin e aspiratave kombëtare për bashkim me Kosovën e drejtë, kjo, historike dhe politike e shprehur edhe me Referendumin e vitit 1992, pastaj me luftën çlirimtare të ish UÇPMB-së dhe Marrëveshjen Paqësore të Konçulit 2001, si dhe një varg platformash të tjera politike të këshilltarëve shqiptarë të këtij rajoni.

Lugina e Preshevës vazhdon të jetë e tensionuar, si pasojë e vijimit te politikës së injorimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga politika zyrtare e Beogradit dhe nga mungesa e duhur e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar për këtë rajon.

- Mospërfillja e  kërkesave për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,

- Arrestimet në vazhdimësi të shqiptarëve,

- Moslejimi i përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe simboleve kombëtare,

- Militarizimi i Luginës, jashtë suazave të paqes, parqet një pengesë serioze në qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve, mes dy shteteve sovrane: Kosova dhe Serbia.

Spektri politik shqiptar dhe ai institucional e  konsideron veten si pjesë të zgjidhjes së këtyre problemeve në dobi të të drejtës legjitime të popullit të Luginës së Preshevës për mirëqenie në favor të paqes, stabilitetit, demokracisë, prosperitetit dhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-atlantike.

Mesazhe urimi

Festat e nëntorit në Luginë të Preshevës, përshkohen edhe nga një fond i pasur urimesh, qoftë përmes panove, bilbordeve, posterëve etj, qoftë edhe përmes urimeve dhe përgëzimeve me gojë dhe me shkrim: Gëzuar 28 Nëntori Dita e Pavarësisë së Shqipërisë! Gëzuar Dita e Flamurit Kombëtar! Gëzuar festat kombëtare!

Këto urime të përzgjedhura adresohen në drejtime të ndryshme individuale, familjare, shoqërore, institucionale etj. pa ngjyrime politike, çka parqet kulturën tradicionale të shqiptarëve, si shenjë e unitetit të tyre “Rreth Flamurit, të përbashkuar, me një qëllim me një ide.....”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat