Presheva me sytë nga Prishtina e Tirana

Lajme

Presheva me sytë nga Prishtina e Tirana

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 12:04
Presheva

Qytetarëve të Preshevës u mungojnë aktivitetet kulturore. Ata shpresojnë në ndihmën e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, madje kësaj të fundit ia përmendin se me Kushtetutë e ka për obligim t’u ndihmojë shqiptarëve që janë jashtë territorit të Shqipërisë.

Organizatori i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “PreFest”, që për të gjashtën herë organizohet në Preshevë, Edon Agushi thotë se nëse për çdo vit të dy qeveritë shqiptare ndajnë një buxhet specifik për luginën e Preshevës, do t’i motivonte artdashësit e Preshevës që të kthehen në vendin e tyre.

“Preshevës i mungojnë aktivitete të tilla,kuptohet që pa ndihmesën e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ne nuk mund të zhvillojmë aktivitete kulturore, sepse dihet se fondi që epet për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nga Republika e Serbisë nuk është edhe aq i madh... E mira e gjithë kësaj është se kemi filluar bashkëpunimin dhe Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës e ka parë që ne jemi serioz në realizimin e aktiviteteve kulturore. Tani, ky është vetëm fillimi, ne duhet të shpresojmë se do ta marrin më seriozisht dy qeveritë dhe duam patjetër. Qeveria e Shqipërisë e ka me Kushtetutë obligim, i shkruan që duhet t’i ndihmojë pakicat ose shqiptarët që janë jashtë territorit... Nëse futet si aktivitetet kulturore, nëse financohen, p.sh ndahet një buxhet specifik i ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, nëse ndahet çdo vit për luginën e Preshevës, do ishte një mbulesë shumë e mirë dhe që do t’i motivonte gjithë ata artdashës se kur të mbarojnë fakultetet në Prishtinë ose në Tiranë ta dinë se këtu mund të kthehen dhe mund të krijojnë aktivitete të tilla me idetë që i kanë”, tha Agushi.

Ai ka edhe një ide tjetër për ta rihapur kinemanë e qytetit, për të cilën me nostalgji ende flasin gjeneratat e vjetra të qytetit.

“Ne kemi menduar ta rihapim kinemanë, me shkua përmes realizimit të javës së filmit shqiptarë, kjo ishte ideja para tri viteve që ta realizojmë javën e filmit shqiptarë dhe pastaj pas mbarimit te javës se filmit shqiptarë, çdo muaj të bëjmë javë të filmave të shteteve të ndryshme, shembull, të Kosovës, Serbisë, Bosnjës, Rumanisë, Rusë, Anglezë, Gjerman dhe kështu ne çdo muaj një javë filmi që e bëjmë në bashkëpunim me Ambasadat që janë këtu ne mund ta rihapim dhe ta sjellim kinemanë, është një zgjidhje më e thjeshtë për ta sjellë filmin në luginë të Preshevës dhe për ta rihapë kinemanë”, tha ai.

Kurse, profesori i fotografisë, Afrim Spahiu, i cili ditë më parë morri pjesë në Festivalin e Fotografisë, shpreson se bashkimi i dashamirëve të fotografisë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, janë ‘ngacmime’ që nisin të hapin rrugë të reja në dimensionet e botës së madhe të fotografisë.

“Këta me mundësit e veta e bëjnë të pamundurën, duhet ta dinë të gjithë të jetosh me një hapësirë me një pushtet që ne e dimë se çfarë është dhe të bëjë një ekspozitë të tillë madhështi e madhe është edhe këtu Serbia është në një tranzicion të humbur. Aty tash duhet të gjendet një gjuhë me anë të mundësisë së komunikimit diplomatik edhe të themi ekonomik, sepse një buxhet që duhet t’i dedikohet kulturës natyrisht duhet të hapet me shumë mundësi, të drejta dhe të barabarta si të gjithë të tjerëve. Në përmirësimin e kësaj gjendje Kosova bashkë me shtetin e Shqipërisë të japin mundësinë që të kontribuojnë. Shpresoj se gjërat do të përmirësohen”, tha ai.

Spahiu flet edhe për vështirësitë që kanë artdashësit e fotografisë në Kosovës.

‘’Kam bindjen që do ecim shumë mbarë kur do hapemi të komunikojmë me botën. Tash për tash kemi probleme me viza, ne e dimë që një i ri i joni nuk mund të ekspozoj apo të ketë kontakt kur të dojë ai”, tha ai.

Ndryshe, organizatori thotë se kanë menduar edhe për një bashkëpunim me Galerinë Arteve të Prishtinës dhe të Tiranës, në mënyrë që fotografitë të cilat ekspozohen në dy kryeqytetet shqiptare të prezantohen edhe për publikun në Preshevë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat