Isa Boletini, kreu më i fuqishëm ushtarak

Lajme

Isa Boletini, kreu më i fuqishëm ushtarak

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 13:39
Pamje nga tryeza shkencore "100 vjet nga vrasja e Isa Boletinit”

?Diplomat i shquar, atdhetar i udhëhequr nga morali popullor e human, strateg dhe një burrë me karakter të fortë. Kështu u cilësua figura e Isa Boletinit, në një tryezë shkencore kushtuar 100 vjetorit të vrasjes së tij, e cila është mbajtur në Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Anëtari korrespodent i ASHAK-ut, Anton Berishaj në kumtesën e tij të parë, tha se globaliteti i Lëvizjes Kombëtare dëshmohet me faktin se ishin të kyçur diplomatë të shquar si Hasan Prishtina, Ismail Qemaili e Isa Boletini.

Berisha: Një diplomatë i shquar sikur Isa Boletini

“Aktiviteti dhe veprimtaria e këtij personaliteti zhvillohej kryesisht në pjesën perëndimore të Kosovës, ndonëse beteja e Caravlevës, udhëheqës i të cilit ishte, mbetet ndër aksionet e tij të mirënjohura luftarake në historinë e luftës për çlirimin dhe pavarësimin e popullit të këtyre trevave. Fakti që aktiviteti i tij ishte i përqendruar në pjesën lindore, nuk do të thotë që në fillim në shekullin e kaluar lufta kishe karakter parcial por synohej pavarësimi i Kosovës në planin global, së bashku më Karadakun, Anamoravën, Preshevën...Globaliteti i kësaj lëvizje dëshmohet me faktin se ishin kyçur edhe diplomatët e kohës siç janë Hasan Prishtina dhe Ismail Qemajli“, tha Berisha.

Kurse, kryetari i Këshillit Organizues, Jusuf Bajraktari përmendi simbolizmin e figurës së Isa Boletini në historinë kombëtare. Ai tha se ngjarjen kulmore për festën e 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  po lidhet pikërisht me figurën e tij.

Bajraktari: Isa Boletini figura më e spikatur e Rilindjes Shqiptare

“Për jetën dhe veprën e Isa Boletinit është shkruar nga këndvështrime të ndryshme në kohë nga autorë të shumtë shqiptarë e të huaj. Secili nga autorët i ka plotësuar me elemente të reja imazhin e kësaj figure ndër më të spikatur të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Isa Boletini është cilësuar nga kronistë, studiues e diplomatë të kohës si atdhetarë i shquar, strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjes për bashkimin me shumicë shqiptare në një shtet të përbashkët e demokratik“, tha Bajraktari.

Ndërsa, referuesit tjetër, Beqir Meta foli për profilin politik të Isa Boletinit në kryengritjen e vitit 1912, duke e cilësuar Isa Boletinin si kreun më të fuqishëm që gëzonte mbështetje ushtarake në Kosovë.

Meta: Isa Boletini kreu më i fuqishëm

“Profili kryesor i Isa Boletini ishte ai ushtarak dhe i një udhëheqësi popullor. Isa ishte ndonëse kreu më i fuqishëm që gëzonte ndonjë mbështetje ushtarake në Kosovë...Isa ishte ..  kryesor për sigurimin e  armatimit nga Serbia, ndoshta tipari më interesant i profilit politik të Isa Boletinit, ishte qëndrimi i tij rojal ndaj serbëve. Sot kjo do të ishte një vlerësim pozitiv për bashkëjetesën dhe mendoj që pikëpamjet e Isa Boletinit në atë kohë kanë qenë realiste duke e llogaritur peshën e madhe që kishte mbështetja e Serbisë për betejën kundër osmanëve”, tha Meta.

Shekulli i XX evidentoi brez të ri atdhetarësh, burra të shkolluar e burra të traditës, si Bajram Curri e Isa Boletini, të cilët më vonë u ngritën gradualisht në nivele udhëheqëse të vendit.

Kështu tha në tryezën shkencore ‘100 vjet nga vrasja e Isa Boletinit” Marenglen Verli, anëtar i Këshillit Organizues. Ai tha se Isa Boletini pavarësisht akuzave që i janë bërë ai gjithmonë veproi i udhëhequr nga morali popullor e human.

Verli: Isa veproi nga morali popullor e human

“Isa Boletini pavarësisht nga akuzat që herë pas here i janë bërë përgojime që i janë bërë, momente të ndryshme të jetës, gjithmonë veproi i udhëhequr nga morali popullor e human nga kanuni tradicional dhe nga interesat kombëtare. Natyrisht që ishte një burrë me karakter të fortë, me tipare pozitive të spikatura që vlerësoheshin për kohën. Prandaj, edhe pati sukses iu dëgjua fjala dhe hyri në radhën e shqiptarëve më të shquar të dy dekadave të para të shekullit të njëzet”, tha Verli.

Marenglen Verli përmendi edhe citimin që i është bërë Isa Boletinit në revistën “L’Albanie”. Një ditë kur të shkruhet historia, theksonte revista “L’Albanie”( botuar në Lozanë të Zvicrës, 16 shkurt 1916), Isa Boletini do të zërë vend nga më të nderuarit në mos më të nderuarin. Isa Boletini gjithnjë i ka shërbyer vendit të vet me një përkushtim të madh, pa kurrfarë kompensimi, me sadisfaksionin që ta shihte atdheun duke realizuar aspiratat e tij./KosovaPress/

Anëtari tjetër, Lush Culaj, foli për aktivitetin e Isa Boletinit në dokumentet austro-hungareze të vitit 1912. Ai tha se duke qenë të pafuqishëm dhe duke analizuar rrethanat shoqërore politike të kohës, diplomatët shqiptarë i inkorporuan interesat e tyre plotësisht me kontekstin e interesave të fuqive  të Evropës Qendrore, posaçërisht të Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ai e cilësoj këtë si një  qëndrim të mençur diplomati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat