Në Ditën e tyre, ministri u premton studentëve më shumë bursa

Lajme

Në Ditën e tyre, ministri u premton studentëve më shumë bursa

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 12:06
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami në takim me delegacionin nga Unioni i Studentëve të Kosovës

Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka pritur sot një delegacion nga Unioni i Studentëve të Kosovës, të prirë nga kryetari Arben Mehmeti.

Ministri Bajrami, pasi që ua uroi këtë ditë studentëve të gjithë Kosovës, theksoi se Ministria e Arsimit po punon vazhdimisht për të krijuar kushte sa më të mira për studime cilësore, në mënyrë që studentët të mund të jenë të barabartë në tregun evropian të punës dhe të suksesshëm në nivele akademike.

Duke folur edhe për mundësitë për studime jashtë vendit për studentët kosovarë, ministri Bajrami tha se Ministria ka një skemë të gjerë të bursave dhe po punon për ta zgjeruar edhe më tutje atë.

Ministri Bajrami, po ashtu, iu premtoi mbështetje Unionit të Studentëve të Kosovës në aktivitetet e tyre. Ai tha se studentët janë faktorë kyç në ngritjen, por edhe në matjen e cilësisë në universitete.

Kryetari i Unionit të Studentëve të Kosovës, Arben Mehmeti falënderoi ministrin Bajrami për përkrahjen që po i bën kësaj organizate, por edhe për mundësitë që po krijon për studentët. Ai theksoi se Unioni, ndër të tjera, po planifikon monitorimin e universiteteve publike, në mënyrë që të ndihmojë edhe MAShT-in me raporte për gjendjen aktuale dhe të krijohen mundësi për të përmirësuar gjendjen./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat