Rexhep Qosja kërkonte kokën e Rugovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, e Xhavit Halitit i ka borxhe të shumëfishta

Lajme

Rexhep Qosja kërkonte kokën e Rugovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, e Xhavit Halitit i ka borxhe të shumëfishta

Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 15:25
Rexhep Qosja

Qosja shndërrohet në revolucionar vetëm në momentin kur pushojnë se ekzistuari arsyet financiare. Është normale që të pikëllohesh nga vdekja e Astrit Deharit, por si është e mundur që nuk të kishte penguar vrasja e Xhemail Mustafës dhe dhjetëra zyrtarëve të tjerë të vrarë pas luftës?

Atëherë kur ishte koha për gjak, Rexhep Qosja e kishte rruar mjekrën dhe ishte përvjedhur me masën për të ikur deri në Maqedoni. Por fillimisht kishte qëndruar në llucën e Bllacës pa pikën e dinjitetit.

Nuk kishte vonuar shumë dhe çdo gjë kishte përfunduar. Falë ndërhyrjes së trupave të NATO-s, të nxitura nga lufta e UÇK-së, edhe Qosja, bashkë me gra e me fëmijë, ishte kthyer në shtëpinë e tij në Prishtinës, siç i thonë fjalës, pa therë në këmbë.

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të mos kishte qenë ky i pari që e kishte braktisur vendin e tij, Qosja u kthye nga refugjatllëku më trim se kurrë.

Pas luftës, de fakto, erdhën në pushtet të dashurit e tij, krahu i luftës, që besonin që ideologu i “Revolucionit të vonuar demokratik” ishte shkrimtar i përmasave ndërkombëtare. Ata po e dëgjonin Qosen duke kërkuar koka. Po shpallte tradhtarë në të majtë dhe në të djathtë. Po miratonte vrasjet e shkrimtarëve. Po heshtte kur po vriteshin ata. Nuk po e drejtonte gishtin në asnjë drejtim. Kështu për shembull kur u vra Xhemail Mustafa as nuk e akuzoi shtetin e as pushtetin, siç po bën tash për Astrit Deharin. Nuk bëri kështu as kur u vranë me dhjetëra të tjerë zyrtarë të LDK-së. Përkundrazi, ai po e kërkonte kokën kryesore, atë që e la Qosen në margjina, kokën e Ibrahim Rugovës. Sepse Qosja mendonte që pushtetin duhet ta marrin, edhe de jure, ata që e fituan luftën.

Kush?

Forcat e KFOR-it?

I mundur në të gjitha drejtimet, Qosja u ngujua në shtëpinë e tij në “Kodër të Diellit”, duke e pritur momentin e tij politik. Jo të tijin, sepse ai kishte mbaruar, por të shokëve të tij, gjë e cila edhe ndodhi, për turpin e tij. Qosja pastaj u shndërrua në shkrimtar të oborrit, rol të cilin ai e kishte kryer edhe në kohën e Josip Broz Titos. Sikur në kohën e Titos, edhe në kohën e Thaçit, Qosja u shpërblye për shërbimin e tij. Për librat e tij ai mori qindra mijëra euro. Për çfarë librash? Ato që edhe më tutje synim të vetëm kanë vetëm një treg – atë shqiptar. Sigurisht që për tirazh nuk vlen të flitet.

Në këtë mënyrë, për disa vite me radhë, Qosja po kujdesej për reputacionin e Thaçit, kurse Thaçi për mirëqenien e Qoses. Në momentin e parë kur përfundoi tagjia, Qosja iu kthye revolucionit. Filloi ta godiste Qeverinë. Në fakt jo gjithë Qeverinë. Vetëm njërën pjesë, atë të LDK-së. Shih ironinë! Sulmon Isa Mustafën për kohën e Jugosllavisë. Në anën tjetër në gazetën “Rilindja” qëndron monumenti i tij i turpit, elozhi që ai i thur një diktatori, Josip Broz Titos, kur ky i fundit kishte vdekur, shkruan expres.

Pra, Qosja është revolucionar vetëm në momentin kur nuk ka arsye financiare për të qenë me pushtetin. Nuk ka lidhje çfarë është pushteti. Ai u është përkulur të gjitha pushteteve. Tek e fundit, a keni dëgjuar që ndonjëherë Qosja është arrestuar, burgosur, ose keqtrajtuar, prej cilitdo pushtet?

Tash së fundmi, dje, sikur Veton Surroi pardje, Qosja, në mes tjerash, duke folur për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit, kishte sulmuar expressin, që, sipas tij, është një medie e kriminalizuar, vegël e pushtetit, që vret. Madje, çfarë qyqarllëku, Qosja nuk guxon, për arsye të kuptueshme, që të lëshohet me emra konkretë politikanësh, që mund të kanë përgjegjësi në këtë vrasje. A e ka dëgjuar dikush prej jush Qosen duke akuzuar në mënyrë konkrete Hashim Thaçin? Po Kadri Veselin? Po Xhavit Halitin? Nuk e keni dëgjuar pra! Sepse ndaj tyre ka borxhe të shumëfishta. Ai godet vetëm atje ku është më lehtë, dhe më pa pasoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat