Gjykata e Prishtinës ruhet edhe nga të dënuar për vjedhje

Lajme

Gjykata e Prishtinës ruhet edhe nga të dënuar për vjedhje

Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 08:26
Pallati i Drejtësisë, Prishtinë

Konkursi për rekrutimin e punonjësve në Gjykatën e Prishtinës ka zbuluar një defekt të madh në sistemin e drejtësisë.

Punonjësit të cilët ishin kontraktuar më parë me kontrata mbi vepër për të ruajtur Gjykatën e Prishtinës kanë precendentë penalë.

Siç mëson kallxo.com, disa prej tyre janë të akuzuar për vjedhje,blerje të mallrave të vjedhur, apo edhe për lëndime trupore.

Ky defekt i zbuluar së fundmi ka zvarritur edhe procedurën e tanishme për rekrutimin e stafit të rregullt për sigurimin fizik.

Para katër muajsh Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur konkurs për rekrutimin e 15 punëtorëve për sigurim fizik të kësaj gjykate në Pallatin e Drejtësisë. Të drejtë në konkurrim kishin edhe 15 punonjës të cilët deri në atë kohë punonin me kontrata mbi vepër të angazhuar fillimisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të ruajtur sallën e gjykimeve në Kinemanë ABC.

Megjithëse kishin kaluar procedurat e përzgjedhjes dhe lista përfundimtare e 15 kandidatëve të sukseshëm u nënshkrua nga komisioni përkatës, kjo listë nuk u bë publike nga Gjykata Themelore.

Një raportim anonim ngriti dyshime se zvarritja e kësaj procedure po bëhet me qëllim manipulimi.

Media posedon listën zyrtare të 15 personave të zgjedhur nga komisioni selektues, të nënshkruar nga përgjegjësi për zbatimin e procedurave Nehat Keka si dhe kryetari i Komisionit Besnik Berisha.

Kësaj liste i mungon vetëm nënshkrimi i kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi.

Nga 62 persona që kishin aplikuar, 26 ishin intervistuar nga komisioni dhe 15 prej tyre figurojnë si më të poentuarit nga komisioni në listën e siguruar nga media.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka arsyetuar zgjatjen e këtij procesi dhe mospublikimin e listës, me probleme të cilat sipas saj janë shfaqur gjatë procedurës së rekrutimit.

Mirlinda Gashi, zëdhënësja e gjykatës, tha se personat që kanë aplikuar dhe janë përzgjedhur kanë qenë në marrëdhënie pune me kontratë mbi vepër, të angazhuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjykata nuk ka dijeni për procedurën e rekrutimit të tyre.

“Këta persona janë mbajtur në punë për një kohë të gjatë të angazhuar me kontratë mbi vepër. Këta persona të angazhuar me kontratë mbi vepër sipas të gjitha gjasave të gjithë janë në lidhje me dikë që është i punësuar në SKGJK, sepse gjykata nuk është në dijeni se ishte zbatuar ndonjë procedurë e rekrutimit të tyre sipas shpalljes”, tha Gashi.

Ndërkaq sipas saj, në procedurë është vërtetuar se disa nga kandidatët kishin apo kanë të kaluar kriminale.

“Në procedurë të rekrutimit është kërkuar verifikimi i të kaluarës kriminale për të gjithë kandidatët e mundshëm për pozitën e rojës në Pallatin e Drejtësisë. Shumë vonë gjykata ka kuptuar se në mesin e këtyre personave të angazhuar si rojtarë kishte edhe të atillë që ishin të dënuar për vepra të ndryshme penale, pranim i mallrave të vjedhur, vjedhje, lëndim trupor, etj”, deklaroi Gashi.

Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar që punëtorëve që kanë punuar me kontrata mbi vepër të angazhuar prej këtij institucioni nuk u ishin kërkuar dëshmi se a kanë rënë ndesh me ligjin, sepse sipas tyre këtë nuk e parasheh ligji.

“Angazhimi i punëtorëve me kontratë mbi vepër sipas legjislacionit në fuqi nuk parasheh verifikim të së kaluarës kriminale dhe për atë nuk është kërkuar një certifikatë e tillë. Rekrutimi është bërë ad hoc për shkak të nevojave urgjente të SKGJK-së”, shpjegon Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këta punëtorë që ishin angazhuar me kontratë mbi vepër, po vazhdojnë të punojnë në gjykatë, megjithëse për konkursin e lartëcekur nuk janë shpallur rezultate.

Gjykata Themelore e Prishtinës nuk është deklaruar se në çfarë baze po vazhdojnë të punojnë këta punëtorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat