Vetëvendosje thotë se është shumë transparente për financat

Lajme

Vetëvendosje thotë se është shumë transparente për financat

Më: 12 nëntor 2016 Në ora: 16:45
Selia e Lëvizjes Vetëvendosje

Sekretari i Financave të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Cacaj ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar në media se partitë politike i fshehin burimet e financave.

Cacaj ka thënë se Vetëvendosje i ka të gjitha raportet e financave vjetore, përfshirë edhe ato të zgjedhjeve, të publikuara në faqen e tyre zyrtare. Sipas tij, secili qytetar i interesuar ka informata të mjaftueshme për ta përcjellur veprimtarinë financiare të VV-së.

Lexoni reagimin e plotë:

Në të gjitha portalet online sot ka dal një titull, që në rastin më të mirë është joprofesional dhe jokorrekt: "Partitë politike e mbajnë fshehtë burimin e financave", duke përgjithësuar kështu të gjitha subjektet politike në Kosovë.

Vazhdimisht kam reaguar ndaj organizatave që bëjnë hulumtime, por edhe ndaj mediave, që mos të përgjithësojnë sa i përket çështjeve financiare, pasi Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qenë dhe mbetet subjekti i vetëm në Kosovë me korrektësi dhe transparencë maksimale.

Më poshtë po përsëris edhe njëherë publikisht:

Lëvizja VETËVENDOSJE! të gjitha raportet e saj financiare vjetore, përfshirë edhe ato të të gjitha zgjedhjeve, i ka të publikuara në faqen zyrtare në internet dhe janë të detajuara për çdo të hyrë dhe shpenzim që ky subjekt i ka bërë prej që është subjekt parlamentar.

Çdo organizatë e shoqërisë civile që ka paraqitur kërkesë për qasje në dokumente financiate të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, jo vetëm që i ka marrë çka ka kërkuar, por i ka marrë në kohë rekord.

Çdo anëtar i saj por edhe ndonjë qytetar i interesuar, ka informata të mjaftueshme për të përcjellë veprimtarinë financiare të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mënyrën më transparente të mundshme.

Mjetet financiare të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë publike, dhe ne jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm që ato të menaxhohen si duhet dhe atë në mënyrë transparente.

Nëse ky lloj informimi publik duke manipuluar opinionin me përgjithësime të tilla për të bërë që të gjitha subjektet politike në Kosovë të duken njejtë, nëse nuk është shkelje ligjore, më së paku është shkelje etike e profesinale dhe si e tillë nuk përjashtohet mundësia të jetë edhe tendencioze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat