Falsifikuan dokumentat, arrest shtëpiak për drejtorin e Kadastrës dhe të pandehurin tjetër

Lajme

Falsifikuan dokumentat, arrest shtëpiak për drejtorin e Kadastrës dhe të pandehurin tjetër

Më: 12 nëntor 2016 Në ora: 11:06
Gjykata Themelore e Prizrenit

Gjykata Themelore e Prizrenit, të premten, ka njoftuar se ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji ndaj drejtorit të Kadastrës në Mamushë, Y.M., dhe të pandehurit tjetër, N.K. nga Mamusha, meqë i pandehuri i parë dyshohet për keqpërdorim të pozitës, derisa i dyti për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj, ka bërë të ditur se masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh do të llogaritet prej 9 nëntorit 2016 deri më 9 dhjetor 2016.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake nga Departamenti i krimeve të rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurit me iniciale Y.M. nga Mamusha, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të KP-së, si dhe ndaj të pandehurit të dytë me inicialet N.K. nga Mamusha, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 par. 2 të KP-së, të caktohet masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë”, ka thënë Kicaj. 

Tutje ka sqaruar se “në kohën e pacaktuar i pandehuri me iniciale Y.M. në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, duke aplikuar për nxjerrjen e listave poseduese në emër të qytetarëve me iniciale S.M dhe I.M., i cili fakt është vërtetuar në kopjen e librit për regjistrim dhe pasi këto lista poseduese janë marrë nga referenti i Drejtorisë së Kadastrës ato janë ndryshuar nga ana e të pandehurit me iniciale Y.M. dhe janë nënshkruar nga ana e tij ku më pas të njëjtat janë vërtetuar nga ana e zyrtarëve kompetentë”.

“Po ashtu i pandehuri i dytë me iniciale N.K. ka aplikuar pranë Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Mamushës për nxjerrjen e listave poseduese për tetë persona, të cilat më pas i ka ndryshuar në bashkëpunim me drejtorin e Shërbimeve Publike pranë Komunës së Mamushës”, ka deklaruar Kicaj.

Gazeta Koha Ditore ka raportuar për arrestimin e këtyre dy personave, derisa pjesë e hetimeve në lidhje me rastin për falsifikim të dokumenteve zyrtare që dyshohet se janë përdorur për tërheqjen e subvencioneve të dhëna për bujqësi është edhe një grup më i gjerë, që janë në procedurë të rregullt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat