Lansohet koalicioni i OJQ-ve për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese

Lajme

Lansohet koalicioni i OJQ-ve për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese

Më: 11 nëntor 2016 Në ora: 12:02
Pamje nga lansimi i koalicionit të OJQ-ve

Në një ngjarje zyrtare, sot u lansua “Koalicioni K10”, që është pari i llojit të tij që mblodhi dhjetë organizata joqeveritare për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka marrë përsipër koordinimin e “Koalicionit K10”, i cili ka për synim të bëjë monitorimin dhe përmirësimin e politikave, infrastrukturës ligjore dhe vetëdijesimin mbi shëndetin dhe të drejtat seksuale riprodhuese në Kosovë përmes punës së rregullt avokuese, të bazuar mbi evidencë dhe duke mobilizuar shoqëritë civile në një koalicion.

Më tutje thuhet se K10 synon të avokoj për ngritjen e fokusit qeveritar drejt shëndetit riprodhues, përfshirë këtu avokimin për ofrimin e shërbimeve për shëndetin riprodhues në kuadër të pakos bazike të shërbimeve shëndetësore.

“Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka prioritet përmirësimin e shëndetit seksusal riprodhues, e në këtë mënyrë, përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve. Koalicioni do të shërbejë si një trup avokues i pavarur dhe monitorues mbi politikat dhe ligjet e implementuara për shëndetin dhe të drejtat riprodhuese”, u shpreh Dafina Krasniqi, koordinatore e programit nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

“Për shëndet të mirë seksual dhe riprodhues, individët duhet të kenë qasje në informata të sakta dhe në metoda efektive, të volitshme dhe të pranueshme të kontracepsionit”, thuhet në komunikatë. Në këtë drejtim, informimi dhe fuqizimi i tyre për mbrojtjen nga infeksionet seksualisht të transmetueshme është shumë i rëndësishëm.

Gratë dhe vajzat duhet të kenë qasje në shërbime që u mundësojnë atyre të kenë një shtatzëni dhe lindje të sigurt dhe foshnja të shëndetshme.

“Koalicioni K10 do të përkrahë dhe facilitoj iniciativat e anëtarëve të saj, siç janë komunikimi strategjik, bashkëpunimi dhe avokimi kolektiv për politika për mirëqenien me të mirë të grave, të rinjve dhe komunitetit kosovar që askush mos të jetë i lënë anash,” theksoi Dr. Visare Mujko-Nimani nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, zyra në Kosovë./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat