Dita botërore e planifikimit të qyteteve

Lajme

Dita botërore e planifikimit të qyteteve

Më: 8 nëntor 2016 Në ora: 09:46
Pamje nga Prishtina

Dita botërore e planifikimit të qyteteve, është ditë e rëndësishme për çdo qytetar të botës që dëshiron qytet më funksional, lagje më urbane, mjedis të mbrojtur dhe të menaxhuar me më shumë kujdes, përgjegjësi më të lartë qytetare.

8 Nëntori - Për herë të parë, Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve është shënuar në vitin 1949, si nevojë e angazhimit gjithëpërfshirës në vendosjen e politikave, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës në përgjithësi. Kjo ngjarje u iniciua nga Carlos Mariadella Paolera, profesor në Universitetin e Buenos Aires, me qëllim të avancimit të interesit publik dhe profesional në fushën e planifikimit.

Kjo ditë na përkujton se planerët duhet të jenë profesionistë të trajnuar, të cilët me angazhimin e tyre në institucione qeveritare, në firma konsulente, në kompani private dhe institucione arsimore, duhet të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të vendbanimeve tona.

Duhet të ndihmojnë në hartimin e planeve për zona të reja të zhvillimit, dhe të ndikojnë në korrigjimin e zonave të vjetra. Me angazhimin e tyre të pazëvendësueshëm, planerët duhet të ndihmojnë edhe në hartimin e politikave qeveritare nga të cilat duhet të përfitojnë të gjithë.

Aktualisht, kjo ditë e rëndësishme e sektorit të planifikimit hapësinor festohet në shumë qytete në të gjitha anët e botës. Sa i përket organizimit, iniciuesit dhe organizatorët kryesisht janë institucione profesionale, që për qëllim kryesor kanë promovimin e planifikimit gjithëpërfshirës – duke i bërë bashkë planerët profesional dhe publikun e gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat