Radikalizohet në burgun e Gërdovcit, vrasësi i dy policëve të Kosovës, Sebahate Tolaj e Isuf Haklajt

Lajme

Radikalizohet në burgun e Gërdovcit, vrasësi i dy policëve të Kosovës, Sebahate Tolaj e Isuf Haklajt

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 16:53
Bedri Krasniqi

Lufta e institucioneve të Kosovës kundër terrorizmit gjithnjë e më shumë po vështirësohet.

Kjo pasi ekstremizmi dhe radikalizmi fetarë tashmë është futur edhe në burgjet e Kosovës.

Institucionet e sigurisë kanë nisur luftën edhe ndaj ekstremizmit të të burgosurve.

Burimet bëjnë të ditur se në disa burgje, janë bërë bastisje dhe konfiskime të gjësendeve fetare tek disa të burgosur, dënimet e të cilëve janë mbi 20 vjet dhe nuk kanë të bëjnë me vepra të terrorizmit.

Radikalizmit brenda burgut nuk i ka shpëtuar as Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet heqje lirie për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, si dhe me 17 vjet burg për kidnapimin e pronarit të fabrikës Gllareva, Azem Morina.

Indeksonline ka siguruar këtë fotografi ku shihet qartë shndërrimi drastik i Krasniqit brenda burgut të Sigurisë së Lartë në Gerdovc dhe përkushtimi i tij ndaj fesë islame.

Përveç tij, janë edhe disa të burgosur të tjerë brenda këtij burgu që paraqesin shqetësim për organet e rendit.

Të pyetur rreth futjes së kësaj dukurie brenda burgjeve, zyrtarë nga Drejtoria e Shërbimit Korrektues të Kosovës mohojnë një gjë të tillë.

“Ju njoftojmë se bastisjet dhe kontrollet janë përditshmëri në Institucionet e SHKK-së, andaj për çdo gjetje rreth gjerave të palejuara ato konfiskohen dhe dorëzohen organeve kompetente. SHKK njëherit njofton se kohëve të fundit nuk kanë hasur në diçka të dyshimtë rreth fushës së ekstremizmit”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së SHKK-së.

Megjithatë, burime të sigurta kanë bërë të ditur se muajin e kaluar në burgun e Dubravës janë bërë disa bastisje, ku janë gjetur e konfiskuar disa gjësende fetare.

Ky rast ka kaluar në Prokurorinë Speciale , e cila po heton disa të burgosur të cilët janë të dënuar për vepra të ndryshme, përfshirë vrasje të rënda, dhe vjedhje.

Rreziku ndaj ekstremizmit të tyre rritet kur bëhet e ditur se të njëjtit janë në përfundim të vuajtjes së dënimit dhe daljes nga burgu.

Bedri Krasniqi ishte dënuar për përfshirje në vrasjen së polices Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, më 24 dhe 28 nëntor të vitit 2003, sulm nga i cili kishte arritur të mbijetoj polici tjetër Hysen Lataj.

Pas arratisjes së tij nga burgu i Dubravës në fund të vitit 2008, Krasniqi kishte kryer edhe disa vepra të tjera penale, përfshirë edhe rrëmbimin e pronarit të firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem Morina më 21 shtator të vitit 2010 .

Rrëmbimi i tij ishte bërë në dalje të fshatit dhe në këmbim të kokës së tij, Krasniqi me grupin e tij kishin kërkuar 3 milionë euro.

Ndryshe, Kosova është përballur me shkuarjen e grupit të parë të luftëtarëve nga Kosova për të iu bashkuar grupeve terroriste në Siri e Irak qysh në pjesën e dytë të vitit 2012.

Prej atëherë e deri më tash numri i përgjithshëm i kosovarëve që kanë udhëtuar për zonat e luftës ka arritur në 316. Sipas të dhënave, 58 shtetas të Kosovës janë vrarë atje.

Vlerësohet se momentalisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është 140, duke përfshirë 75 persona që dyshohen se në mënyrë aktive janë përkrah organizatave terroriste të ndjekur nga gratë dhe fëmijët e tyre.

Fajin për përhapjen e kësaj dukurie Institucionet ia kanë lënë operimit pa kontroll të organizatave të huaja, qoftë edhe nga lindja e mesme, menjëherë pas përfundimet të luftës në Kosovë.

Ndërkohë, mars të vitit 2015 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, dhe si rrjedhojë e kësaj deri tash rreth 30 persona janë dënuar për pjesëmarrje në këto konflikte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat