Nderohet profesori që krijoi varietetin e grurit vendor

Lajme

Nderohet profesori që krijoi varietetin e grurit vendor

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 15:35
Foto nga ceremonia

Universiteti i Prishtinës ka ndarë mirënjohje për profesorin Shukri Fetahu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, i cili tashmë ka arritur që të krijojë, regjistrojë dhe licencojë kultivimin e parë vendor të grurit,  pas një  pune 15 vjeçare.

Në ceremoninë në të cilën është nderuar profesor Fetahu, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka thënë se  falë punës së profesorit Kosova tash ka varietetin e vet.

“Më lejoni  me këtë rast që bashkë me Ju, gjithë komunitetin akademik të UP-së dhe gjithë qytetarët e Kosovës, të ndaj këtë gëzim me rastin e kësaj arritjeje shkencore nga profesori i UP-së. Tashmë Kosova, përmes Universitetit të Prishtinës dhe Prof. Shukri Fetahut, ka varietetin e vet. Këtu e tutje nuk kemi nevojë importi nga vende gjithandej porse kemi dhe duhet të kultivojmë varietetin tone kosovar të grurit”, është shprehur rektori.

Profesor  Fetahu thekson se varieteti, i emëruar Dardania-1, karakterizohet me tiparet si potenciali i lartë gjenetik prodhues, përdorim më të ulët të normës së farës për mbjellje, rezistueshmëri më të mirë ndaj patogjenëve, cilësi më të lartë të glutenit (ngjitësit), sasi më të lartë të proteineve si dhe tipi i miellit Grupi 500 dhe grupi kualitativ A1/A2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat