Drejtorët e Qendrave Kulturore i marrin rrogat kesh

Lajme

Drejtorët e Qendrave Kulturore i marrin rrogat kesh

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 13:03
Foto nga mbledhja

Ministri Valon Murati ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku ka thënë se problemin kryesor si institucion e kanë pas me emërimin e tre drejtorëve në Qendrat Kulturore në Suedi, Zvicër dhe Turqi, të cilët nuk janë futur në listë të pagave nga Ministria e Financave.

Po ashtu Murati është shprehur se pikërisht me financat si ministër është përballur me probleme edhe tek parapagesat pasi që sipas tij për organizime të aktiviteteve në diasporë duhet të bëhet çdo herë ky lloj i pagesës.

Mirëpo, pikërisht drejtorët jashtë listës së pagave ishin edhe problemi kryesor i deputetëve të komisionit.

Deputetja e LDK-së Synavere Rysha pati kritika në këtë drejtim duke thënë se nuk është respektuar konkursi.

Rysha pati kritika edhe me mënyrën e pagesave me para të gatshme që bëhen për ta.

Kurse deputeti Hajdar Beqa pati propozim për ta që të kërkohet mundësia që të futen në listën e pagave.

Ndërsa, për pagesat në avanc, ministri Murati u shpreh se në vendet perëndimore, kur e kontakton një sallë, shembull, nuk mund të pritet që pagesa të bëhet pas përfundimit të evenimentit pasi sipas tij, ata kërkojnë që pagesat të bëhen paraprakisht.

Duke iu përgjigjur deputetetes Rysha, ministri Murati tha se ata drejtorë nuk i ka emëruar vet por i ka gjetur nga mandati i kaluar.

Sipas tij drejtorët  janë emëruar me vendim të Qeverisë dhe nuk janë fut në listën e pagave.

Në lidhje me këtë cështje u zhvillua një debat mes ministrit Murati dhe deputetes Rysha.

Në lidhje me këtë që tha Murati deputetja Rysha tha se atyre është dashur që t’u ndërpriten kontratat pasi që nuk janë në listë të pagave.

Murati u shpreh se ose duhet të mbyllen qendrat ose nuk mund t’i lejë drejtorët pa paga.

Por, Rysha e kritikoi se janë emëruar jashtëligjshëm këta drejtorë.

Gjatë raportimit të ministrit Valon Murati pati edhe diskutime tjera rreth organizimeve, regjistrimit të diasporës etj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat