Stresi shpëton nga zjarri fëmijën 11-muajsh që ndodhej vetëm në shtëpi

Lajme

Stresi shpëton nga zjarri fëmijën 11-muajsh që ndodhej vetëm në shtëpi

Më: 3 nëntor 2016 Në ora: 20:24
Pamje nga video

Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur pak minuta më parë në një pallat në Tiranë pranë zonës së Medresesë. 

Një fëmijë vetëm 11 muajsh ka rrezikuar seriozisht jetën si pasojë e një zjarri të rënë në apartamentin e tij në katin e tretë të një pallati. Në pritje të zjarrfikësve dhe në mungesë të kohës, këngëtari Arkimed Lushaj i njohur si Stresi ndërmori një veprim të rrezikshëm duke u përpjekur të shpëtojë fëmijën nëpërmjet katit të katërt. 

Ai ia doli me sukses ta shpëtonte dhe në sfond dallohen edhe duartrokitjet e dëshmitarëve. Ngjarja u filmua nga disa djem të lagjes. Ata u munduan ta shuanin zjarrin me bombulat anti-zjarr që ndodheshin në një pikë bastesh poshtë pallatit. Në momentin që erdhi zjarrfikësja, zjarri ishte shuar. Sipas dëshmitarëve, Stresi u fut nga kati i katërt në të tretin për ta shpëtuar, raporton Jeta osh qef.

Raportuesit informojnë se shkak i zjarrit ishte një shkëndijë elektrike në karikuesin e mini-barit në apartamentin e fëmijës, i cili shkaktoi flakë por kryesisht shumë tym, duke u bërë një rrezik i vërtetë për asfiksimin e fëmijës. Dëshmitarët përshkruajnë se tymi dilte sikur të qe ndonjë oxhak fabrike. Ata shprehen se pasi dëgjuan të qarat e fëmijës dhe panë tymin e madh, u ngjitën në apartament dhe i ranë ziles por askush nuk e hapi. Më pas u detyruan të vepronin nëpërmjet katit të katërt. Prindërit e fëmijës nuk ndodheshin në atë moment në apartament. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat