Bujanoc: Inatet politike dhe logjika prapanike

Lajme

Bujanoc: Inatet politike dhe logjika prapanike

Nga: Sevdail Hyseni Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 14:25
Bujanoc

Nga administrata komunale e Bujanocit, vjen “haberi”, se arka buxhetore e kësaj komune, është dëmtuar për 75 mijë euro, në emër të një dëmshpërblimi për punëtorët e përjashtuar padrejtësisht nga puna, gjatë mandatit të Nagip Arifit, dhe atë në NP “Direkcioni për ndërtim” dhe “Shtëpia e shëndetit”. Kjo nuk është e tëra!

Qoftë e dëmshpërblimit

Dëmshpërblimet, nuk mbarojnë me kaq! Pushteti i kaluar ka më shumë gabime, lëshime, parregullsi se sa nocioni i dëmshpërblimit. Duhet të angazhohet ndonjë gjykatë speciale, përveç asaj komunale, për të vënë drejtësi në keqpërdorimet, abuzimet me fondet publike, keqmenxhimet, tejkalimet e kompetencave dhe nepotizimi mbi baza partiake dhe familjare.

Askush nuk i harron inatet politike të ish pushtetit të Nagip Arifit, i cili në bashkëpunim me subjektet serbe, largoi nga puna me qindra punëtorë: anëtarë e simpatizantë të subjekteve politike rivale, të cilët lëre që u përjashtuan nga puna, por edhe u nxorën para gjyqeve me akuza të fabrikuara, si në kohën e sistemit diktatorial të Millosheviqit.

Inatet politike nuk përfundonin vetëm me largimin e kundërshtarëve politikë nga puna, por ato zbrazeshin edhe në sfera të tjera të veprimtarisë shoqërore: në arsim, duke politizuar shkollat tej mase me “drejtorë vikend” dhe punëtorë arsimorë në vija partiake e familjare, pastaj në fushën e kulturës dhe informimit, duke përjashtuar njerëz të vlerave e duke i zëvendësuar ata me kuadro fantome pa përgatitje të duhur arsimore, fizike e mendore.  

Arroganca

Për katër vjet sa qëndroi në pushtet Partia Demokratike e Nagip Arifit, nuk la dy gur bashkë. Solli në pushtet ish bashkëpunëtorë të UDB së dhe fundërrinat e ish regjimit komunist, duke i favorizuar me pozicione e autorizime pa fund. Duke bashkëqeverisur me njerëz të tillë, të krimbur shpirtërisht dhe të degjeneruar moralisht, jo vetëm që prishën imazhin e Komunës së Bujanocit, por edhe e degraduan totalisht, duke e shndërruar atë në një “oazë” të spiunimit, shantazhimit dhe revanshizmit primitiv.

Në vazhdën e keqpërdorimeve të pozitës zyrtare bëjnë pjesë edhe tenderët e projekteve kapitale: restaurimi i qendrës së qytetit të Bujanocit, i cili kushtoi hiç më pak se 700 mijë euro, një projekt, që mbuloi me beton vlerat e trashëgimisë kulturore, pastaj rreth - rrotullimi, në hyrje dalje të Bujanocit e projekte të tjera, të cilat më shumë i sollën dëm se sa dobi qytetarëve të saj.

Po edhe në jetën opozitare partia e Nagip Arifit, sillet si të jetë në pushtet. Ajo assesi nuk pajtohet se ka ngelur jashtë qeverisjes lokale. Nuk pajtohet madje as me largimin eventual nga puna të ndonjë anëtari të saj në emër të kontratës së skaduar, të cilën e kualifikon si revanshizëm.

Rrallë mund të gjesh ndonjë anëtar të kryesisë së partisë së Ngipit të ketë mbetur pa punë, të gjithë pothuajse punojnë, duke filluar nga vet shefi, që kurrë gjatë jetës së vetë, nuk e ka shijuar bukën e hidhur të të papunësuarit.

Partia opozitare e Nagip Arfit, veç vendeve të punës mbajnë edhe Entin për Inkuadrim, prej nga marrin iniciativa se si të kritikohet pushteti aktual dhe si të pengohen dhe bllokohen institucionet  e dala nga zgjedhjet e prillit, të vitit 2016.

Benefitet

Karshi Entit për Inkuadrim BIROVIT, gjendet një kafiteri, në të cilën grumbullohen partiakët e Nagip Arifit, gjatë pauzës, për të marrë instruksione se si të sulmohet pushteti i ri.

Për fushatë kjo parti shfrytëzon një portal e gjysmë: si “Lajmial” dhe bujanoci, info në Facebook, të cilat janë shndërruar në tellall të këtij subjekti politik nga i cili nuk po mund të lirohen për shkak benefiteve, që i gëzuan gjatë mandatit të kaluar.

Në këtë drejtim, gjithashtu, pengohen me shantazhe e kërcënime ndonjë anëtar i kësaj partie, i cili mendon të largohet dhe të aderoj në ndonjë parti tjetër.

Gjatë kësaj periudhe të regjimit të Nagip Arifit, në Komunën e Bujanocit, ndodhi përçarja më e madhe ndër  -  shqiptare, e cila madje nuk kaloi pa hasmëri e urrejtje patologjike, pasojat e së cilës edhe sot po e heq populli i kësaj komune.

Fjala e urtë thotë: “Mos raft me u harrue!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat