Përdoruesit e drogave në Kosovë, pjesëtarë të ISIS-it

Lajme

Përdoruesit e drogave në Kosovë, pjesëtarë të ISIS-it

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 11:46
Foto ilustrim

Pjesëtarë nga Kosova që shkuan të luftojnë për organizatën terroriste Shteit Islamik, janë edhe përdorues të drogave në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën Safet Blakaj, drejtor i Qendrës Mediko-Psikoterapike “Labyrinth”.

Narkomania në Kosovë, po bëhet dukuri gjithnjë e më shqetësuese. Sipas drejtuesve të qendrave që merren me trajtimin e përdoruesve të drogave, më së tepërmi shqetëson fakti se është shtuar numri i të miturve që po përdorin substanca narkotike. Por, përdorues të drogave nga Kosova janë edhe pjesëtarë të organizatës terroriste ISIS. Këtë e ka konfirmuar Safet Blakaj drejtor i Qendrës Mediko-Psikoterapike “Labyrinth”, e cila merret me parandalimin e abuzimit të drogave.

 “Janë disa prej klientëve tanë të cilët kanë qenë ose janë në luftërat në Siri, pra janë pjesëtarë të organizatës terroriste ISIS. Disa nga ta kanë tentuar të shkojnë, disa të tjerë kanë mbërri atje dhe ne i kemi në regjistrin tonë. Natyrisht, është një numër i vogël por sido që të jetë janë pjesëmarrës në këto luftëra”, tha ai.

Përdoruesit e drogave në Kosovë janë të moshave të ndryshme. Njëri prej tyre, në kushte anonimiteti, rrëfehet për Radio Kosovën se si filloi me përdorim të marihuanës dhe përfundoi në heroinë.

“Kur i kamë pasë 15 vjet kam filluar me pi marihuanë. Në moshën 18 vjeçare, një shok i imi, përdorues i heroinës më nxiti që të përdor heroinën dhe për tri jet e kam përdorur vazhdimisht drogën heroinë”, tha ai. 

Safet Blakaj thotë se përdorues të drogave janë të njohur për mobilitet që nënkupton lëvizje brenda dhe jashtë vendit. Në bazë të evidencave që ka Qendra Mediko-Psikoterapike “Labyrinth” janë një numër i përdoruesve të drogave që kanë emigruar së fundi në shtetet e perëndimit, por që as atje nuk kanë zënë vend.

 “Kur ishte vala e migrimit para dy vjetësh, kur qytetarët iknin nga Kosova për në shtetet e perëndimit, prej regjistrit tonë, kanë qenë 54 përdorues të drogave, disa me familje e disa pa familje që kanë emigruar jashtë vendit”, deklaroi Blakaj.

Kohëve të fundit Policia e Kosovës ka arritur të sekuestrojë sasi të mëdha të lëndëve narkotike. Sipas statistikave të Policisë, deri në fund të nëntorit janë konfiskuar rreth 700 kg marihuanë dhe janë arrestuar rreth 700 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat