Publikohen barrierat e personave me aftësi të kufizuara

Lajme

Publikohen barrierat e personave me aftësi të kufizuara

Më: 1 nëntor 2016 Në ora: 13:53
Foto nga konferenca

Personat me aftësi të kufizuar, që në Kosovë llogaritet të jenë deri në 30 mijë, po vazhdojnë të ballafaqohen me mungesa të qasshmërisë në hapësira dhe objekte publike në institucionet qendrore të Kosovës. Në një hulumtim të fundit të bërë në 195 ndërtesa kryesore në Prishtinë, del se as për së afërmi nuk plotësohen kushtet për qasjen fizike të këtyre grupeve.

Sipas hulumtimit “Prishtina për të gjithë”, të realizuar nga HandiKos-i dhe GIZ-i, del se problemi më i madh është qasja e personave të verbër apo me shikim të dobësuar në ndërtesa, por edhe mungesa e plotë e vijave dhe fushave taktore, plani i orientimit për persona të verbër, ashensorët me sinjalizim me zë, por edhe përpunimi i shkelësve me shirita kundër rrëshqitjes dhe me kontrast vizual.

Arkitektja Rozafa Basha, tha se rezultatet e këtij hulumtimi kanë prezantuar një situatë jashtëzakonisht problematike për sa i përket mundësisë së qasjes fizike në për personat me aftësi të kufizuara në institucione publike.

 “Qëllimi i këtij projekti ka qenë vlerësimi i qasjes vetëm në nivel të qytetit...Qyteti i Prishtinës përmban më së shumti institucione publike, kështu që në njëfarë mënyre ka qenë vendim i mirë që është marrë qyteti i Prishtinës... Problemet këtu që janë më të mëdha, t’i nxisim institucionet në përgjithësi që të marrin hapa për përmirësimin e situatës këtu dhe në nivel të Kosovës në përgjithësi. Në studim janë përfshirë 195 ndërtesa, lokacione, institucione dhe shërbime publike...Rezultatet e vlerësimit prezantojnë një situatë jashtëzakonisht  problematike sa i përket mundësisë së qasjes fizike për të gjitha grupet për personat me aftësi të kufizuar”, tha Basha.

 

Ndërsa, për komunitetin e personave me aftësi, problemet më kritike të qasjes janë: parkingjet e munguara, mungesa e rampave qasëse, rampat jashtë standardit, rampat e pa pajisura me gardhe, mungesa e tualeteve, denivelime të pakapërcyeshme në brendi të ndërtesës, hapësira të pamjaftueshme për manovrim me karroca nëpër klasë, sportelet e larta, mbajtëset e munguara në shkallë të ndërtesave, platformat e munguara ngritëse, përmasat jo të përshatashme të shkallëve.

Kurse, problem tjetër është edhe i qasjes së personave të verbër është  mungesa e parkingjeve. Kjo pengesë është hasur nëpër të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, në QKUK-në, klinikat private në Prishtinë, si edhe në stacionet e Policisë së Kosovës, në posta, në qendrat për Punë Sociale, shërbimet komunale, bankat më të frekuentuara në Prishtinë, partitë politike.

Prej 195 lokacioneve vetëm 16 përqind kanë tualet ekzistues por jo të qasshëm për PAK dhe vetëm 8 përqind ekziston tualeti. Ndërsa, përmasat e hapësirës nuk janë konform standardeve që përshkruhen për shfrytëzim nga përdorues karrocash.

Drejtori i HandiKos, Afrim Maliqi tha se personat me aftësi të kufizuara fuqizohen, atëherë kur eliminohen pengesat për përfshirjen e tyre në jetën publike.

“Dëshmitë dhe përvojat kanë treguar se kur eliminohen pengesat për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, ata fuqizohen për të marrë pjesë plotësisht në jetën shoqërore dhe atëherë përfiton e gjithë shoqëria. Pengesat me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuar janë një dëm për shoqërinë dhe qasja është e nevojshëm për të arritur përparim apo zhvillim për të gjithë....Numri i madh i personave me aftësi të kufizuar kundrejt infrastrukturës ekzistuese e cila është shumë e papërshtatshme, si dhe qasjes joadekuate në objekte publike...reflekton me apo pa dashje në përjashtim, me pamundësinë që personat me aftësi të kufizuar të jenë të barabartë në realizimin e të drejtave të tyre dhe pjesëmarrës në jetën aktive, sociale, kulturore dhe politike”, tha Maliqi.

 

Kurse, kryetari i Shoqatës së Verbër, Bujar Kadriu tha se institucionet kanë për obligim për të gjithë qytetarët që t’i krijojnë kushte për lehtësim të barrierave.

“Duhet të respektohet qasja për të gjithë qytetarët me aftësi të kufizuar, jo vetëm qasja fizike por edhe qasja nëpërmjet informacionit është e rëndësishme sepse dihet që nëpërmjet shkrimit, përmes shenjave, qytetarët marrin dhe shpërndajnë informacione që u duhet për ndonjë punë ....Institucionet kanë obligim për të gjithë qytetarët që të krijojnë kushte me qëllim të lehtësimit të barrierave...Kosova si shtet i ri dhe si pretendent për me qenë pjesë e BE-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, duhet të respektoj të drejtat e njeriut dhe shumë thelbësore është  krijimi i qasjes i cili padyshim është një ndër standardet më të nevojshme”, tha Kadriu.

 

Në anën tjetër, përfaqësuesja nga GIZ, Rrezarta Jashari e ka komentuar këtë projekt duke thënë se ky duhet të aplikohet jo vetëm në nivel komunal por edhe në nivel qendror, pasi që personat me aftësi të kufizuara kanë probleme të qasje në shërbime të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat