Nafta u lirua 4 % për një javë

Lajme

Nafta u lirua 4 % për një javë

Më: 31 tetor 2016 Në ora: 12:00
Ilustrim

Çmimet e naftës në bursat botërore gjatë javës së kaluar u zvogëluan për rreth katër për qind, për shkak të skepticizmit të tregtarëve se prodhuesit e energjensit do të arrijnë marrëveshje për zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të "arit të zi".

Në bursën e Londrës nafta nga Deti Verior u lirua për katër për qind në 49,71 dollarë për barel, derisa çmimi i naftës së "lehtë" amerikane në bursën njujorkeze u zvogëlua për 4,3 për qind në 48,70 dollarë për barel.

Liderët e Organizatës së Vendeve Eksportuese  të Naftës (OPEK) së bashku me përfaqësuesit e Rusisë dhe të shteteve të tjera prodhuese të derivatit në takimin në Vjenë të shtunën nuk arritën marrëveshje për zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të "arit të zi", qëllimi i së cilës është rritja e çmimit të saj në bursat botërore. Megjithatë, ashtu siç lajmëroi TASS, është dakorduar më 25 dhe 26 nëntor të mbahet takim i grupit të ekspertëve për negociata për zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës.

Në takimin vjenez është biseduar për planin për reduktim të prodhimtarisë ditore të naftës në nivel prej 32,5 deri në 33 milionë barelë në çka insistojnë disa anëtare të OPEK-ut, si Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk ishte arritur marrëveshje përfundimtare për shkak të kundërshtimit të disa shteteve prodhuese të kët energjenci.

Që para fillimit të takimit në Vjenë, Irani paralajmëroi se nuk do ta zvogëlojë prodhimtarinë e tij të naftës, në përpjekje të ballafaqohet me pasojat e embargos së naftës prej disa viteve, e cila i ishte hequr në janar të këtij viti pas marrëveshjes për programin bërthamor iranian.

Iraku, gjithashtu, kumtoi se nuk do të pajtohet me zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës, duke e arsyetuar vendimin e tillë të tij me faktin se vendi "bën luftë kundër grupit xhihadist Shteti Islamik (SHI).

Ministri i Kazakistanit për Energji Magzum Mirzagalive kumtoi se as Kazakistani nuk është i gatshëm të përfshihet drejt marrëveshjes eventuale për zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës.

Përfaqësuesit e delegacionit rus refuzuan të japin çfarëdo lloj komenti për planet, por analistët vlerësojnë se Moska me siguri do të pajtohet në zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të naftës, duke pasur parasysh se kohë më parë këtë e paralajmëroi edhe presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.

Përfshirja e Rusisë drejt vendimit eventual të OPEK-ut për zvogëlimin e eksploatimit të naftës, është me rëndësi kyçe, për arsye se vendi është prodhuesi më i madh botëror i energjencit pas Arabisë Saudite, e cila veçmë filloi t'i ndjejë pasojat nga çmimi i ulët i "arit të zi".

Analisti i "Snekos Neçërll Risors", Xhefri Hejli konsideron se investitorët dyshojnë se OPEK do të arrijë të bëjë marrëveshje për zvogëlimin e prodhimtarisë.

Në kushte të këtilla analistët presin se çmimet e naftës edhe në periudhën në vijim do të mbesin stabile.

Për shkak të prodhimtarisë së rritur të energjencit, çmimet e naftës nga mesi i vitit 2014, deri në shkurt të këtij viti, ranë prej mbi 100 dollarë në rreth 30 dollarë për barel, që paraqiste vlerë të tyre më të ulët në 13 vitet e fundit.

Pas kësaj,  muajve të fundit, çmimi i energjencit është stabilizuar dhe mbahet  në nivel mes 40 dhe 50 dollarë për barel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat